Do t’i mbushë 21 vitet e jetës së tij në fund të dhjetorit megjithatë Alen Sherri po krijon profilin e një portieri me shumë të ardhme. Tek Vllaznia jo vetëm që është konfirmuar tashmë si titullar, por edhe po tenton të vendosë “rekorde”.

Themi kështu sepse në këtë kampionat, ka pësuar vetëm një gol. Armend Murrja është “fatlumi” i vetëm që ka shënuar këtë sezon në portën e Vllaznisë. Ka ndodhur në minutën e 65-të të ndeshjes Vllaznia- Korabi luajtur më 8 shtator në stadiumin “Loro Boriçi”.

Një pakujdesi në mbrojtjen kuqeblu dhe lojtari dibran ka gjuajtur saktë duke dërguar topin në rrjetë. Që atë ditë, porta e Sherrit nuk është prekur më.

Që do të thotë se në gjashtë ndeshjet pas saj, kuqeblutë nuk kanë pësuar gol tjetër. Natyrisht falë aftësive të portierit, por edhe lojës së mirë në mbrojtje të të gjithë skuadrës.

Por 565 minutat e deritanishme pa gol, pritet të vazhdojnë edhe më tej, pse jo për të vendosur një rekord të ri të paprekshmërisë.
© shkodrasport.com