Alen Sherri vendosi të largohet nga Vllaznia, për të kaluar te skuadra e Laçit, aty ku ai do të vazhdojë karrierën e tij futbollistike.

Së fundmi lojtari ka reaguar rreth largimit të tij, duke treguar edhe arsyet pse e bëri këtë zgjedhje, duke shtuar se drejtuesit e rinj te Vllaznia e kishin kontaktuar së fundmi, teksa shton se për disa persona aty ka rezerva.

“Mirëmbrëma! Duke marrë shkas nga shkrimet e ndryshme që po lexoj e ndjej edhe unë të nevojshme të sqaroj opinionin publik rreth situatës sime. Më vjen keq që disa gjëra keqinterpretohen në media edhe realisht shumë pak njerëz i dinë të vërtetat.

Është e vërtetë që presidenca e re më ka kontaktuar mbasi unë kam kërkuar t’i takoj sepse nuk kam dashur asnjëherë që të ik tinzash nga qyteti im. Për këtë falënderoj kryetaren e bashkisë znj. Voltana Ademi, z. Astrit Gjyrezi, z. Alban Xhaferi dhe drejtorin e ri sportiv z. Matko Djarmati dhe shumë tjerë të cilët pavarësisht shuma gjërave kanë mbështetur qëndrimin tim në ekip.

Për disa njerëz tjerë kam rezervat e mia. Kontrata ime me Vllazninë ka qenë gjithmonë më shumë shpirtërore sesa financiare prandaj unë se kam shikuar kurrë këtë pjesë si kryesore. Duke parë mënyrën se si ndodhen gjërat sezonin e kaluar dhe ne fund që nuk mu besua të jem në fushë në ndeshjen me domethënëse të sezonit e pashë të rëndësishme të rishikoja edhe pozicionin tim në klub.

Kam pranuar të jem pjesë e Vllaznisë në të mirë e në të keq edhe ka qenë një ëndërr e realizuar e fëmijërisë, të vishja atë fanellë të rëndë. Ata që më njohin e dinë shumë mirë domethënien e emrit Vllaznia te unë.

Largohem duke e ditur se për çdo sekondë kam dhënë maksimumin për ato ngjyra edhe për tifozët kuqeblu edhe i kërkoj falje për çdo herë që mund t’i kemi zhgënjyer sepse Vllaznia nuk është aty ku e meriton. Largohem për ti lënë ata të bëjnë punën që ndoshta unë s’dita ta bëj mirë.

Shpresoj edhe uroj që gjërat të ndryshojnë për mirë në vazhdimësi pasi Vllaznia është e madhe, Vllaznia ka qenë, është, edhe do të mbetet gjithmonë Vllazni, edhe bën pa mua, pa tjetrin e pa tjetrin. Shpresoj që t’i kuptoni arsyet e zgjedhjes sime edhe në fund shpresoj që rrugët tona të takohen prapë një ditë.”, shkruan Sherri.