Kuqeblutë e kanë mbyllur me fitore vitin 2018 dhe duket se trepikëshi ndaj Veleçikut do të bëjë që ata t’i festojnë më mirë festat e fundvitit. Portieri Alen Sherri e vlerëson si pozitive ecurinë e deritanishme por sipas tij, ajo nuk mjafton.
“Vllaznia besoj se ka bërë një paraqitje të mirë deri më tash. Fitorja ndaj Veleçikut do ta bëjë edhe më të bukur këtë fundviti por nga ana tjetër nuk duhet që ta mbajmë mendjen shumë tek ajo. Kemi bërë vetëm gjysmën e punës deri tani. Jam i bindur se do të jemi në Superligë në fund të sezonit por duhet të vazhdojmë në këtë mënyrë.
Vendi i Vllaznisë nuk është në kategorinë e parë por në Superligë dhe duhet ta arrijmë me çdo kusht këtë gjë”- ka deklaruar ai. Nga ana tjetër, herëpashere në media flitet për interesime të ndryshme për Sherrin nga ekipe të kampionatit shqiptar por edhe të huaja.
I pyetur në lidhje me to, Sherri përgjigjet: “Nuk e kam patur shumë mendjen tek ato që mund të shkruhet apo thuhen rreth meje. Jam i përqendruar për momentin vetëm tek Vllaznia, ku punoj fort për të qenë titullar dhe bashkë me shokët e ekipit duhet ta nxjerrim ekipin në Superligë. Për gjërat e tjera, shohim më vonë”.
21 vjeçari ka pësuar vetëm 5 gola në gjysmën e parë të sezonit, më pak se çdo portier tjetër dhe kjo edhe për meritë të tij por edhe të gjithë skuadrës.
© shkodrasport.com