Vllaznia do ta mbyllë fazën e dytë të këtij sezoni përballë Ilirisë, ekip që i shkaktoi të parën humbje në këtë kategori. E megjithatë, në kampin shkodran nuk e mendojnë “hakmarrjen”. Alen Sherri thekson se skuadra e tij ka për qëllim vetëm të marrë pikë dhe asgjë më shumë.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i katërkëndorit evidenton se skuadra mjaftohet vetëm me blindimin e kreut dhe shkëputjen ndaj rivalëve. “Ne nuk kemi nevojë për të bërë hakmarrje ndaj Ilirisë.

Thjesht do të kërkojmë fitoren e radhës ndaj këtij ekipi dhe asgjë më shumë. Qëllimi ynë nuk është larja e ‘hesapeve’, por sigurimi i objektivit final. Ne jemi në vend të parë do të kërkojmë ta mbyllim me fitore fazën e dytë dhe më pas të mendojmë për fazën finale që do t’i japë fund rrugëtimit tonë në këtë ligë”, kështu e nisi fjalën e tij portieri.

Për Alen Sherrin, diferenca në pikë ndaj ndjekëseve është tepër domethënëse. “Ne kemi një ekip shumë të mirë. Diferencat me ndjekësit tanë tregojnë se jemi të ngjitur në mënyrë të padiskutueshme në elitë. Kjo javë ishte tërësisht për ne. Ne bëmë detyrën tonë, por nga ana tjetër edhe humbja e Erzenit na shkoi për shtat.

Kjo bëri të mundur që të shkëputemi me 10 pikë. Këtë diferencë besoj se nuk do ta ngushtojmë as pas kësaj jave që përmbyll fazën e dytë. Do të kërkojmë që të bëjmë detyrën me Ilirinë dhe në fund të sigurojmë një pikavarazh të kënaqshëm”, theksoi gardiani i shkodranëve, duke bërë llogaritë që i rezervoi java e 17-të.

NGJITJA – Duket se 21- vjeçari nuk i trembet as rregullit të përgjysmimit të pikëve. Ai thekson se: “Pavarësisht se përgjysmohet diferenca e pikëve pas fazës së dytë, sërish jemi në vend të parë dhe po ashtu më lart se rivalët. Nuk e vendosim më në dyshim historinë e ngjitjes.

Jemi në të gjitha aspektet një skuadër superiore krahasuar me ekipet e tjera. Nuk kemi frikë asnjë kundërshtar dhe mendoj se edhe me këtë formulë, ne do të arrijmë që të mbyllim shpejt çështjen ‘Superiore’”, përfundoi Alen Sherri.