Alen Sherri ka impresionuar në këtë sezon me paraqitjet e tij në fushën e blertë. Portieri i Egnatias foli në një lidhje direkte me studion e emisionit “Star Sport” që drejtohet nga dy gazetarët Maringlen Zhivani dhe Marinela Matija. Sherri tregoi si u ndje në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë, teksa shprehu keqardhje për gjendjen në të cilën ndodhen kuqeblutë.

“E pashë shumë të dobët Vllazninë ndaj Egnatias. Nuk e shijova shumë fitoren, duke qenë se po luaja kundër ish-ekipit tim. Më vjen shumë keq për gjendjen e Vllaznisë.

Loja e saj ndaj nesh ishte për të dëshiruar, por ua them me bindje se nuk ndihem mirë për këtë gjë. Gjithsesi, mendoj se Vllaznia do të jetë në Final Four me ndryshimet që do të bëhen në janar.

Me Egnatian po bëjmë një ecuri pozitive. Shpresojmë të vijojmë me këtë mënyrë. Rivalët kryesorë? Unë shikoj Tiranën dhe Partizanin. Skema e re është e ngatërrueshme disi, por edhe në këtë mënyrë do vijojmë të bëjmë mirë besoj.

E ardhmja? Kam patur dy oferta për të luajtur jashtë, por do të qëndroj edhe një vit tek Egnatia. Ky vit mund të jetë i fundit me Egnatian”-u shpreh portieri i Egnatias, Alen Sherri në “Star Sport”.