Nga studiot e “Pressing” në “Canale 5”, ish-lojtari i Juventusit, Alessio Tacchinardi, foli për humbjen 3-0 të bardhezinjve kundër Fiorentinës në “Franchi”, duke theksuar përgjegjësitë e trajnerit Thiago Motta.

Ja mendimi i tij: “Të vazhdohet me Thiago Motta deri në fund? Më shumë sesa ‘deri në fund’, duhet të pyesim nëse është një ‘deri sa të dëmtohesh plotësisht’. Sot më vjen shumë keq, ngaqë besoja shumë te Thiago Motta, por ai po kalon një moment tejet të vështirë.

Formacionet, zëvendësimet, menaxhimi i dhomës së zhveshjes, menaxhimi i Vlahovicit, mungesa e reagimit… Kishte një javë kohë për ta përgatitur këtë sfidë ndaj Fiorentinës. Juventusi duhet të vendosë nëse ai është trajneri i duhur për ta arritur vendin e katërt.

Nga të gjitha ekipet në garë, Juventusi është më i miri, ai që ka kushtuar më shumë. Me kë do ta zëvendësoja? Nuk e di, por duhet të ndryshojë diçka. Kupa e Botës për Klube? Është një gjë tjetër, bardhezinjtë duhet të mendojnë për vendin e katërt ose do të përballen me një humbje të madhe ekonomike”./telesport/