Fitorja dhe tre pikët e marra në ndeshjen e javës së kaluar me Gramshin, kanë kthyer optimizmin në kampin velipojak. Situata në fakt deri para kësaj ndeshje nuk ka qenë e mirë duke qenë se Ada ndodhej në vendin e parafundit në renditje pavarësisht se kishte dhuruar ndeshje të bukura por asaj I kishin munguar rezultatet. Por fitorja e pastër 3-0 ndaj Gramshit ka kthyer entuziasmin. Skuadra ka ngjitur tre shkallë në tabelën e renditjes dhe tashmë ka si objektiv të mos shohë më poshtë por vetëm të kërkojë të ngjisë sërish shkallë. Pretendimet e futbollistëve dhe stafit drejtues janë për të marrë fitoren edhe në ndeshjen e kësaj jave, atë që do të luajnë në Himarë ndaj skuadrës vendase. Himara është një nga skuadrat rivale për momentin të Adës në fundin e tabelës së renditjes dhe fitorja ndaj saj do kishte shumë vlera. Ndeshja duhej të ishte luajtur sot por në fakt me kërkesën e klubit të Himarës ajo është shtyrë për të hënën. Kjo ngaqë në Himarë do të inagurohet tapeti I stadiumit dhe në të do të jetë present edhe presidenti I FSHF-së Armando Duka. Presidenti I Adës Alfred Pjetri duke folur pikërisht për këtë shtyrje të ndeshjes, ka thënë: “Për ne nuk ishte asnjë problem shtyrja e ndeshjes. Më telefonoi presidenti I Himarës për këtë çështje duke më treguar se vetëm të hënën mund të luhej ndeshja ngaqë dëshironte që të ishte present edhe presidenti Duka për të prerë shiritin e stadiumit. Kuptohet që nuk kishte arsye të kundërshtonim edhe për shkak të marëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë në mes dy klubeve tona”. Marëdhëniet në mes klubeve janë të mira por sigurisht që në fushën e lojës, Ada do të kërkojë të marrë pikë. Kuptohet që nuk do të jetë e lehtë për t’ia arritur kësaj aq më tepër që të hënën në Himarë do jetë festë. Pavarësisht kësaj, trajneri Ritvan Kulli gjatë gjithë javës është munduar të injektojë tek futbollistët e tij idenë se në këtë ndeshje duhet marrë patjetër pikë. Të njëjtën gjë thotë edhe presidenti Pjetri për gazetën tonë kur shprehet: “Në shumë ndeshje që kemi zhvilluar jashtë fushës tonë kemi luajtur përgjithësisht mirë por nuk kemi arritur të marrim pikë. Këtë herë duhet të luajmë më me kujdes. Edhe një barazim ndaj këtij rivali të drejtëpërdrejtë do na bënte punë. Unë e vlerësoj shumë skuadrën e Himarës e cila këtë kampionat ashtu si ne , ka bërë ndeshje të bukura por nuk ka marrë pikët e duhura. Kuptohet që nuk do dëshiroja që të luanim në pozita të tilla por e thashë, që do të kërkojmë një kujdes maksimal nga futbollistët për të marrë qoftë edhe një pikë të vetme në këtë ndeshje sepse do na bënte punë për takimet e ardhshme”. Këto tre javët e fundit të fazës së parë janë shumë të rëndësishme për Adën sepse pas kësaj ndeshje me Himarën, do të presë javën e ardhshme ekipin e Naftëtarin në Velipojë dhe do ta mbyllë fazën e parë me Kamzën në transfertë. Objektivi I drejtuesve velipojakë është të ngjisin edhe një apo dy shkallë deri në fund të fazës së parë.
Gjergj KOLA