“E kam dashur shumë futbollin. Nuk të plak, madje të bën të jesh kurdoherë futbollist pavarësisht nga mosha”. Ky është lejtmotivi që e ka shoqëruar gjithë jetën e Ali Kullollit, një ish-sportisti shumëplanësh të Vllaznisë të viteve 1950, sot 80 vjeç, por gjithmonë një “futbollist” që edhe pse nuk luan në tapetin jeshil “virtualisht” në të. Herë përmes kujtimeve, herë përmes medias. Ish-futbollisti i njohur shkodran, por që ka luajtur basketboll me Partizanin e vitit 1951, madje kampion me skuadrën e kuqe, por dhe një atlet i 400 metërshit dhe siç ka treguar në rrëfimin e tij vetë, Kullolli, edhe një hendbollist i Vllaznisë. Bashkëkohës i Xhelal Jukës, Muhamet Dibrës, Prek Gjeloshit, Ali Kullolli ka shkruar në mënyrën e tij historinë e tij në klubin futbollistik më të vjetër të Shqipërisë. “Historikisht, që herët në vitet 1905 në qytetin tonë (Shkodrën) – shkruan Kullolli në kujtimet e tij sportive, – filloi të luhet ky sport kaq i dashur edhe për shikuesit e lagjeve e rrethinave në fushat e gjelbra. E më pas në vitin 1919 krijohet klubi sportiv Vllaznia”. Në të vërtetë në Shkodër ishin krijuar më parë një skuadër futbolli me emrin simbolik “Indipendenca”, e që zhvilloi madje në vitin 1913 edhe një ndeshje ndërkombëtare futbolli me ekipin e ushtrisë austriake që ndodhej në Shkodër, një ndeshje e humbur 2-1, por që gjithsesi, u konsiderua si një provë e parë e mirë.

Djaloshi i lagjes Rus-Hashikej

Në fakt, duhet të rikthehesh shumë larg në kohë, në vitin 1937, kur djaloshi Kullolli, atëherë 7 vjeç, preku për herë të parë topin, pikërisht në shkollën fillore, e kur në Shqipëri në atë vit zhvillohej kampionati i shtatë dhe i fundit i periudhës së paraçlirimit, ku Sportklub “Tirana” kishte fituar gjashtë kampionate e Skënderbeu i Korçës një, pavarësisht se Vllaniza ishte një prej protagonistëve të mëdha të atyre kampionateve.
Ishte mësuesi Shyqyri Haxhija ai që i kultivoi Ali Kullollit dashurinë e përjetshme për sportin, ku fushat e “Ara e madhe”, “Xhabije”, “Perash”, “Zdrale” gumëzhin nga ndeshjet midis të rinjve. Vehbi Ademi, Rifat Cufja., Enver Metani, Esat Bushati, ishin ndër adoleshentët e dashurar me sportin. Lagja ku banonte familja e Kullollëve, “Rus-Hashikej”, ishte jo vetëm një prej më të vjetrave të Shkodrës, por edhe tepër e përmendur në historikun e pasur sportiv shkodran, me një kontribut të veçantë në drejtimin e futbollit shqiptar në tërësi. Kullolli në kujtimet e tij, të dhuruara klubit të Vllaznisë, përmend emra të njohur të “topkëmbës”, si Isa Boletini, Vehbi Ademi, Et’hem Selmani, Xhevat Hajdarei, Shuaip Muka, etj. “Në vitin 1942, – tregon Kullolli në “biografinë e tij sportive”, – zhvilluam një ndeshje miqësore në Ulqin, kur u krijua Shqipëria Etnike (e asaj kohe), ndërkohë që në vitet 1945-1946, kemi bërë takime të rregullta mes lagjeve, qendrave të punës e që drejtoheshin nga sindikata”.

Këshilla e madhe e Ibrahim Dizdarit
Në vitin 1946, kur Kullolli ishte vetëm 16 vjeç, ish-futbollisti, trajneri dhe mësuesi i nderuar, Ibrahim Dizdari, teksa shijonte gjithë pasion një gol të shënuar nga Aliu, gjeti rastin që me një buzëqeshje të ëmbël ti thoshte pak fjalë, por që ishin magjike për adoleshentin: “Ti duhet ta vazhdosh patjetër futbollin”.
Ndërkohë që Vllaznia fitoi kampionatet e viteve 1945 dhe 1946, me një skuadër ku luanin disa nga emrat më të mëdhenj të futbollit shqitpar, si Bimo Fakja, Ernest Halepiani, Loro Boriçi, Pal Mirashi, Met Vasija, etj, djaloshi Kullolli bëhet pjesë e Koplikut, një skuadër e Kategorisë së Dytë, në vitet 1948-1949, ku përkrah Aliut 18-vjeçar luanin edhe Muzafer Cena, Behran Hoti, Zuhdi Barbullushi, etj. Viti 1950 e gjen Ali Kullollin ushtar në Gjirokastër, ku në dy vitet e saj 1950-1951, behët pjesë e skuadrës së Divizionit të 5-të të Gjirokastrës, një ndër më të shquarit e Armatës së Ushtrisë Popullore, siç quhej në atë kohë, e ku bënin pjesë 16 futbollistë nga Shkodra, ose “90 për qind e skuadrës”, kujton Kullolli. “Për dy vite radhazi, – kujton Kullolli, – u aktivizova në kampionate të rregullta e me kalendar sportiv për divizionet e armatës së Ushtrisë Popullore të Shqipërisë. Kemi zënë vendin e parë mes divizioneve të armatës, dhe përveç kësaj kemi dalë edhe në finalen e Kupës së Republikës kundër Dinamos në vitin 1951”. Shaban Avdia, Ali Tepelia, Buto Smaja, Abdyl Kuçi, Faik Pelinku, Qemal Spahia, ishin disa nga bashkëlojtarët e Kullollit, të cilët fituan Kupën e Republikës për zonën e Jugut, duke fituar të pesë takimet ndaj kundërshtarëve, e ku veçohet fitorja me shifra “astronomike” 12-0 ndaj Spartakut të Gjirokastrës.

Atlet, basketbollist dhe hendbollist
“Nevojat për basketbollistë, bënë që unë me disa shokë shkodranë, në vitin 1951 të inkuadroheshim në 10-shen basketbolliste të ekipit të Partizanit”, – kujton Kullolli. “Në shtator të vitit 1951, në qytetin e Elbasanit u zhvillua kampionati kombëtar i basketbollit dhe shpallëm kampionë”. Tetori i vitit 1951 e gjen Kullollin edhe si hendbollist. Sërish kampion me Partizanin. Trajneri Nail Pikku, lojtarët Masaraga, Kona, Berberolli, Ademi, Tafalica ishin edhe ata që përbënin pesëshen e parë të basketbollit edhe të hendbollit. 10 korriku i vitit 1951 është një ditë e veçantë në kujtesën e 80-vjeçarit Kullolli. “Në kampionatin e atletikës që u zhvillua në Tiranë me sistem grumbullimi zumë vendin e parë. Unë në garën e 400 metrave zura e vendin e parë në stadiumin “Qemal Stafa”.

Rikthimi i madh te Vllaznia
Me krijimin e Partizanit (në vitin 1946) dhe Dinamos (1950) shumë prej lojtarëve të shquar shkodranë u inkuadruan në dy skuadrat e famshme të kryeqytetit, e para e Ministrisë së Mbrojtjes dhe e dyta e Ministrisë së Brendshme, e që kishin “nxjerrë” jashtë loje Vllazninë, pasi Partizani kishte fituar titujt e kampionateve të viteve 1947, 1948, 1949 e Dinamo atë të vitit 1950, ku Bimo Fakja luante për Partizanin dhe Pal Mirashi për Dinamon. “Në këto rrethana, – kujton Kullolli, – u bë e mundur që ekipi i Vllaznisë të rifreskohej me elementë të rinj. Filloi një epokë e re për Vllazninë e nisur me një fitore të bujshme 9-0 ndaj Besëlidhjes së Lezhës, në kampionatin e vitit 1952, në të cilin merrnin pjesë 20 skuadra të ndara në 3 grupe. Shënuam 9 gola në ndeshjen kundër Besëlidhjes, njëri më i bukur se tjetrin, golin e fundit e shënova unë me një zbritje shumë të të bukur”, – kujton Kullolli, bashkëlojtarë të të cilit në atë kohë ishin Muhamet Dibra, Prek Gjeloshi, Xhelal Juka, Dani, Smaja, Cungu, etj, nën drejtimin e trajnerit Muç Koxhia, por që kishte si ndihmës edhe një lojtar të madh e trajner të madh si Ernest Halepiani, ku nën drejtimin e këtij të fundit, Vllaznia kishte fituar dy kampionatet e para të saj, ato të viteve 1946 dhe 1947, përpara se të fitonte të tretin pas gati 24 vjetësh, në sezonin 1971-1972 nën drejtimin e Xhevdet Shaqirit. Në atë vit Vllaznia kishte ndryshuar emrin në “Puna” e Shkodrës, madje thuajse të gjitha ekipet kishin këtë emër, duke i shtuar atë të qytetit që i përkiste, me përjashtim të Partizanit dhe Dinamos.

Goli historik kundër Partizanit

“Puna e Shkodrës, apo “Vllaznia” e atij sezoni zuri vendi e tretë. Pas fitoreve në Pogradec (3-0) e në Korçë (2-0), por dhe me humbje me Tiranën (5-4) dhe Vlorën (3-0), Kullolli kujton ndeshjen me Partizanin, një fitore historike 4-1, që ka mbetur gjatë në kujtesën e sportdashësve shkodranë, e që në të vërtetë i hoqi titullin Partizanit, në kampionatin e fituar nga Dinamo me vetëm një pikë më shumë se Partizani: 16-15, me “Punën” e Shkodrës të ndalur në kuotën e 13 pikëve. “Partizani kishte në përbërje emra të shquari si Maliqati, Fagu, Spahiu, Boriçi, Resmja, – shkruan Kullolli, – por, përballë tyre ishin Dibra, Juka, Gjeloshi. Shënuam dy golat e parë me Cungun e Dibrën (me penallti të marrë nga Kullolli). Pjesa e parë përfundoi 2-1 (për Partizanin shënoi Besim Fagu)”. Qamil Medja shënoi golin e 3-1 dhe Ali Kullolli në të 81’ shënoi golin e katërt për Vllazninë, një 4-1 që hyn në histori. “Tifozët kishin arritur kulmin e tyre, duke e shoqëruar lojën me ovacione”. Komentet e shtypit të kohës ishin të bujshme. Kullolli ishte pjesë e skuadrës edhe në një 8-0 të famshëm të Vllaznisë ndaj Dinamos së Vlorës, ku në atë takim tre gola mbajnë firmën e Ali Kullolit, e nga një gol Cungu, Dani, Tepelia, Medja dhe Juka. “Ishte Vllaznia që kishte snajperat më të mirë atë vit”, – shkruan Kullolli. Viti 1983 përkon me ndërtimin e stadiumit të ri të Shkodrës, i përuruar me një ndeshje miqësore ndaj ekipit Kombëtar shqiptar: 2-0 për Vllazninë, por portier Met Metani “lejon” dy gola në favor të Kombëtares dhe ndeshja përfundoi 2-2. “Një gjest i pa pëlqyer i tij”, – kujton Ali Kullolli. “Vitin tjetër ai nuk u aktivizua me Vllazninë”.

Puna-Dinamo, DERBI I MADH I SHKODRËS

Kampionati i vitit 1955, në të cilin morrën pjesë 16 skuadra, i fitua nga Dinamo, që edhe pse e mbylli me pikë të barabarta me Partizani, nga 55, falë rezultatit të pjesëtimit matetimakor midis golave të shënuar me ato të pësuar: 74-9 Dinamo (8.2 gola), 96-15 Partizani (6.4), në Shkodër u krijuan dy ekipe: Puna e Shkodrës (apo Vllaznia) dhe Dinamoja e Shkodrës. Që të dyja ishin pjesë e këtij kampionati. Dinamoja e Shkodrës e mbylli në vendin e katërt (33 pikë) dhe Puna në vendin e pestë (32 pikë). Në takimin e parë derbin e Shkodrës e fitoi Dinamo 3-0. “Revanshi ishte një derbi i vërtetë. Nuk mbahej mend një tifozeri e tillë- kujton Kullolli. Puna e Shkodrës fitoi 1-0 pikërisht me golin e shënuar nga Ali Kullolli. “Brohoritje, ushtima këmbanash, madje edhe qitje me armë zjarri”, – shkruan Kullolli në kujtimet e tij.

DOZHA E BUDAPESTIT DHE ZHGËNJIMI I MADH
I dalluar për lojën e tij, Ali Kullolli u ftua në verën e vitit 1955 të bënte pjesë në grupin e lojtarëvë që do të luanin kundr Dozhës së Budapestit, një prej skuadrave më të njohura të Hungarisë, e që kishte brenda saj lojtarë të Kombëtares hungareze që po dominonte skenën e futbollit europian, e ku veçoheshin fitoret me Anglinë. Dozha zhvilloi dy takime: barazoi 1-1 me Dinamon e Tiranë dhe 0-0 me Punën e Shkodrës. Në Shkodër nga Tirana kishte mbërritur një trajner hngarez, “Mikibashi” – shkruan Kullolli, (por ai në të vërtetë quhej Miklosh Vadas), i cili pasi kishte parë futbollistët kishte ftuar edhe Kullollin. “Për 20 ditë radhazi në stadiumin “Voko Kushi” u stërvitëm në një terren të përkryer. Ishte kënaqësi e madhe të stërvitesha nga një trajner i nivelit të lartë e nga një vend i tillë si Hungaria”, – kutjon Kullolli. Ndihmëstrajner të Miklosh Vadasit të madh ishin trajnerët shkodranë Muç Koxhia dhe Rifat Rusi. Në fakt, Kullolli ishte në listën e lojtarëve që do të luanin kundër Dozhës. Por, gjithçka u prish brenda dy orësh. “Një autobus me futbollistë nga Tirana me në krye të mirënjohurin Loro Boriçi nxori jashtë loje trajnerët shkodranë dhe shpalli një formacion tjetër”, – kujton Kullolli. “Kështu ishte urdhri i gjeneralëve të Ministrisë së Brendshme. U eliminova unë nga formacioni, së bashku edhe me Ali Tepelinë dhe Shefki Boshnjakun (portier). U veprua me shumë cinizëm. Nuk qe e thënë të luanim ndeshjen e parë ndërkombëtare. Bile as në banket nuk na ftuan”. Takimi përfundoi pa gola. Pas kësaj ndeshje, në moshën 25-vjeçare e në kulmin e tij si futbollist, Ali Kullolli i dha lamtumirën futbollit të luajtur, duke u detyruar të varë “këpucët në gozhdë”, por duke mos hequr dorë kurrë nga fusha e futbollit si një admirues i madh i Vllaznisë dhe i futbollit. “Unë e dua Vllazninë më shumë se çdo skuadër të botës”. Ndeshja e tij e fundit ishte ajo kundër Durrësit në vitin 1955, të përfunduar në një 0-0, në të cilën portieri Cen Hoxha priti një penallti. “E kam dashur shumë futbollin. Nuk të plak, madje të bën të jesh kurdoherë futbollist pavarësisht nga mosha”…