Karriera e tij nuk ka qenë shumë e gjatë megjithatë është pjesë e historisë së futbollit shkodran. Bëhet fjalë për Ali Kullollin.
Ai ka lindur në Shkodër më 24 mars 1930 dhe fillimet e futbollit I ka në lagjen Rus Haslikej ku organizoheshin ndeshje me shokët e fëmijërisë si Xhevat Hajdari, Ethem e Zyhdi Bakalli, Isa Buletini, Vehbi Ademi, Shuajp Cufja, Lutfi Haliti, Xhevat Bilali, Avni Mula, Selah Muka, Shuajp Puka, Ethem Selmani, Xhevat Nehani, Fadil Gogoviq etj.
Futbolli për të do të bëhej shumë I dashur. Ai me shokët e tij madje kanë luajtur futboll edhe gjatë kohës së luftës. Në vitin 1946, në një ndeshje mes qendrave të punës duke luajtur kundër ekipit të Bahri Kavajës e Lutfi Halitit, u dallova dhe për këtë trajneri dhe mësuesi I paharruar Ibrahim Dizdari që ishte dhe gjyqtari I takimit.
I afrohet Alisë dhe I thotë: “Ti patjetër duhet të vazhdosh futbollin”. Një fjali që djaloshin e entuziasmoi shumë. Por më pas ai do të shkonte ushtar në Gjirokastër bashkë me shkodranët e tjerë si Shaban Abdija, Ali Tepelija, Buto Smaja, Met Rraboshta, Mujo Dyli, Fadil Halluni, Qemal Spahija, Faik Pelingu etj dhe u aktivizua në ekipin e Divizionit të Gjirokatrës me të cilin zunë vendin e parë.
Ai mori pjesë edhe në kampionatin e atletikës të zhvilluar në Tiranë në qershor të vitit 1951 dhe në garën e 400 m zuri vendin e parë. Duke parë këto rezultate, drejtuesit e Partizanit Ali Kullollin dhe disa të tjerë I ndalin në Tiranë. Po këtë vit inkuadrohet edhe në ekipin e basketbollit të Partizanit dhe në shtator në Kampionatin Kombëtar të zhvilluar në Elbasan u shpall kampion me këtë ekip. Ndërsa në tetor zë vend nderi me ekipin e hendbollit në kampionatin kombëtar. Alija kujton me respekt trajnerin e basketbollit të Partizanit Naim Pilkun, por edhe Masar Agën, Konen, Berberollin, Ademin, Tafilicën etj.
Në nëntor të vitit 1951 Ali Kullolli lirohet nga ushtria dhe duke pasë parasysh se tek Vllaznia ishin hapur shumë vende ngaqë lojtarë të ndryshëm kishin ikur tek Partizani dhe tek Dinamo dhe bëhet pjesë e skuadrës shkodrane. Ndeshjen e parë ai e ka luajtur në Shkodër kundër Besëlidhjes në vitin 1952 ku në fushën e vjetër ishin mbi 10 mijë tifozë. Alija në kujtimet e tij thotë se kishte emocione të mëdha pasi për herë të parë vishja fanellën e një ekipi me emër në Shqipëri.
Fituam 9-0 dhe golin e fundit të ndeshjes e ka shënuar pikërisht Kullolli. Portier I Vllaznisë në atë ndeshje ishte Huso Haxhija, trajner ishte Muc Koxhja e ndihmës Latif Alibali dhe Ernest Halepjani. Gjatë këtij kampionati, Vllaznia humbi në Vlorë 3-0, ku fusha ishte plot e përplot me ujë megjithatë shkodranët I detyruan të luajnë.
Pas kësaj ndeshje, shkodranët fituan në fushën e tyre me Tiranën 5-4, me Tomorin e Beratit 6-0, jashtë me Pogradecin 3-0, në Korçë 2-0 e më pas erdhi rradha e Partizanit, këtij ekipi që kishte në rradhët e tij emra të tillë si Maliqati, Fagu, Bushati, Boriçi, Resmja, Vogli, Deda etj. Vllaznia shënoi dy gola me anë të Cungut e Dibrës (këtë me penallti të marrë nga Kullolli), pastaj Partizani ngushtoi rezultatin në 2-1.
Në pjesën e dytë u shënuan edhe dy gola të tjerë nga shkodranët, njëri nga Medja dhe të fundit nga Kullolli dhe kështu ndeshja u mbyll 4-1. Pastaj luajtëm me Vlorën dhe e mundëm 8-0 teksa shënohen shpejt katër gola me anë të Cungut, Danit, Tepelijës e Medjes, pastaj një të pestë me anë të Xhelal Jukës dhe pastaj tre gola nga Ali Kullolli që luante si sulmues I djathtë dhe ndeshja kësisoj mbyllet 8-0. Kështu ekipi shkodran ndonëse me djem të rinj në përbërje, kishte krijuar një emër të mirë në futbollin shqiptar sepse në fakt nuk mund të konceptohej pa spektaklin e mundshëm të Vllaznisë. Në vitin 1953 në Shkodër u ndërtua stadiumi I ri.
Për ta inaguruar atë, u organizua një ndeshje mes Vllaznisë dhe ekipit kombëtar që përgatitej për një turne jashtë vendit. Ndeshjen shkodranët e filluan mirë duke shënuar dy gola rradhazi por portieri Metani që u inkuadrua në ekipin e Vllaznisë, bëri një gjest të papëlqyer duke lejuar qëllimisht barazimin.
Ky gjest I tij indinjoi popullin dhe vitin tjetër ky portier nuk u aktivizua më me Vllazninë. Në vend të tij erdhi Sheuki Bosnjaku. Erdhën edhe disa të rinj si Musa Alushi, Hysen Hoxha, Halit Hoxha, Beqir Cungu, Shuajp Keraj, Daut Shkreli, Simon Jubani, Fejzi Rrjolli, Shefik Jubica, Fahri Krymi, Shuajp e Zyhdi Bakalli etj, që kishin të dhëna të mira teknike dhe përgatitje fizike.
Kullolli kujton duelin në mes Dinamos së Shkodrës dhe Punës së Shkodrës, pikërisht në vitin 1956. Stadium ka qenë plot me sportdashës të cilët konsideronin Punën si skuadra që përfaqësonte popullin e Shkodrës. Sapo filloi loja, Rrjolli I pasoi topin Kuçit, ky Gjeloshit e ky menjëherë Kullollit që shënoi golin e parë.
Entuziasëm I paparë në stadium. Më vonë Rrjolli pason një top tek Kullolli që gjuan menjëherë dhe shënon edhe golin e dytë. Puna fitoi 2-0. Lojtarët më të mirë të ndeshjes u cilësuan Dibra në mbrojtje dhe Kullolli në sulm. Për të parë ndeshjen kishte ardhur edhe trajneri hungarez Miklosh Vadash që seleksionoi lojtarët më të mirë për 2 ndeshje miqësore që do të luheshin kundër “Oskodra” të Polonisë dhe “Dozhës” së Budapestit. Ndihmëstrajner të tij ishin Muc Koxhja dhe Rifat Rusi.
Grumbullimi u bë në ndërtesën e ish- Medresesë, për 20 ditët e stërvitjes I bënin në stadiumin “Vojo Kushi”. Natyrisht për Kullollin ishte kënaqësi të drejtohej nga një trajner I huaj. Bashkë me të stërviteshin edhe futbollistët e tjerë shkodranë, Boshnjaku, Keraj, Cufja, Smaja, Pelingu, Shkreli, Gjeloshi, Kullolli, Dibra, Dani, Tepelija, Bakalli, Medja, Cungu, Gjoni, Laçja etj. Që ditën e premte para ndeshjes, në qytet u afishuan dhe përbërja e mundshme e ekipit ku bënte pjesë edhe Kullolli sepse gëzonte një formë të mirë.
Por për çudi, në orën 12.00 të ditës që do të zhvillohej ndeshja, një makinë me futbollistë nga Tirana me në krye Loro Boriçin zbresin në Shkodër. Si pasojë, Ali Kullolli, Ali Tepelija dhe Sheuki Bosnjaku dalin rezervë. U hedhin poshtë gjithë mundin dhe djersën e derdhur në stërvitje. Kaq me cinizëm u veprua ndaj tyre saq Kullolli nuk u ftua as në dakrën e organizuar me këtë rast.
Ndeshja përfundoi në barazim 0-0. Pikërisht nga ky vepri, ai vendos që ta lërë futbollin. Në Durrës ka qenë ndeshja e fundit e tij në rradhët e Vllaznisë, pikërisht në vitin 1955, ndeshje që përfundoi në barazim 0-0. Pas ndeshjes në Tiranë Ali Kullolli do I thoshte Sheuki Bosnjakut se do ta linte futbollin.
“Edhe një portë që na u hap në ndeshjen me Dozhën, na u mbyllën pa mëshirë”- I ka thënë Alija atij. Dhe kështu vendos të largohet përgjithnjë por me një brengë të madhe përbrenda.
Ali Kullolli në vitet ’60 ka marrë pjesë rregullisht në ndeshjet e veteranëve që organizoheshin atë periudhë duke mbetur kësisoj një figurë e nderuar e futbollit shkodran.
Gjergj KOLA