Siç kemi bërë të ditur, në këtë sezon në futbollin gjerman janë duke luajtur edhe dy futbollistë shkodranë. Bëhet fjalë për portierin Ervin Hallunaj dhe mesfushorin Alis Baci.

Ata janë pjesë e ekipit FC Kosova Munchen që merr pjesë në kampionatin e kategorisë së pestë të këtij vendit. Ky ekip e ka nisur mbarë kampionatin duke pasë pretendime për t’u ngjitur një kategori më lart.

Portieri Hallunaj është duke e bërë siç duhet detyrën e tij por po spikat në veçanti mesfushori Baci. Edhe në ndeshjen e sotme, e vlefshme për javën e dytë të kampionatit, ai ka qenë protagonist.

Ka dhënë asistin e golit të parë, ka goditur shtyllën në një moment dhe po ashtu ka shënuar edhe golin e tretë për ekipin e tij duke e ndihmuar atë të fitonte me rezultatin 4-1.

Ka qenë një ndeshje e fortë jashtë fushe megjithatë ekipi i shkodranëve ia ka dalë të fitojë ndaj TSV Neuried II. Ecuria e Bacit ka qenë vërtetë e shkëlqyer në këto dy ndeshje, me katër gola të shënuar, një asist dhe një shtyllë.

Të mos harrojmë se nuk është sulmues por vetëm mesfushor, madje në karrierën e tij më shumë ka luajtur si mbrojtës i majtë.

Karriera në Gjermani ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme për të dhe nëse vazhdon kështu, me shumë siguri do të ngjitet më lart.
Gjergj KOLA