Igli Allmuça ka kaluar shumë sfida me Dinamon. Madje, edhe kur skuadra ka rrezikuar trajneri kryeqytetas ka pranuar që të punojë, e madje edhe t’ia dalë mbanë duke mos e lënë klubin e madh kryeqytetas që të shkatërrohet e të përfundojë edhe një kategori më poshtë, çka do të ishte fatale. Por, tashmë situata është ndryshe.
Te Dinamo kanë filluar që t’i bëjnë llogaritë si pretendentë. Për “Rtshsport” ka folur edhe trajneri Igli Allmuça, i cili ndër të tjera ka pohuar: “Mbas shumë viteve vuajtje këtë vit jemi ndryshe. Kushtet janë më të mira. Skuadra po përgatitet por kemi fat të keq që Vllaznia është e kompletuar dhe thuajse është ajo e Superiores së sezonit të shkuar. Por ne do të pretendojmë.
Tifozët
Për Dinamon thonë se është një klub që ka më pak tifozë se Tirana apo Partizani. Por historia ka treguar të kundërtën. Tifozët blu nuk e kanë lënë kurrë vetëm skuadrën e tyre të zemrës, e madje ata i kanë qëndruar afër, duke shkuar edhe në transferta.
Allmuça, madje thekson se ka ndeshje kur ata nuk mungojnë: “Një Dinamo-Vllaznia kur luhet edhe në Pezë ka tifozë ndoshta më shumë edhe se në Superiore. Prandaj edhe Dinamo i duhet elitës së futbolli, ka emër dhe traditë, i bën mirë futbollit mbi të gjitha sepse është shkollë futbolli”.
E ardhmja
“Dinamo është çështje nostalgjie për mua. E ardhmja e kësaj skuadre është shumë e sigurt që do të jetë shumë e mirë. Kanë filluar çdo gjë me detaje dhe besoj se shumë shpejt do jemi në elitë. Duhet që këtë sezon të konsolidohemi, natyrisht ë do të përfitojmë edhe nga gabimet e rivalëve”, – tha në fund të prononcimit të tij trajneri i bluve, Igli Allmuça./Vipsport/