Igli Allmuça, ish-lojtar i tri skuadrave kryeqytetase, Dinamos, Partizanit dhe Tiranës, por edhe Kukësit dhe Skënderbeut, sheh një garë të fortë për vendin e fundit që do të shkojë në ‘Final 4’. Përveç Dinamos dhe Tiranës, ai gjykon se edhe Skënderbeu është një kandidat potencial.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-mesfushori komenton formulën e këtij sezoni, derbin e radhës mes Tiranës dhe Dinamos, gjendjen që po kalojnë këto dy skuadra dhe mundohet të bëjë një parashikim se çfarë mund të ndodhë në këtë pjesë të mbetur të garës. Për Allmuçën, nëse Dinamo arrin të futet në 4- shen e parë pas 36 javësh, i plotëson të gjitha kushtet për të synuar titullin kampion.

“Si një skemë e re, natyrisht që do të ketë të kënaqur dhe të pakënaqur, secili sipas situatës së vet. Mendoj se më mirë mund të flitet pasi të ketë përfunduar gjithçka, sepse kjo formulë e ka bërë të padeshifrueshëm kampionatin. Ne kemi parë që gjatë gjithë kohës ndeshjet janë zgjidhur me episode. Ashtu si nisi sezoni, kujt ia merrte mendja se Vllaznia sot do të ishte për titull. Ndoshta i pakënaqur në fund do të ketë vetëm ekipi që do të zërë vendin e parë, sepse nuk e ka të fituar titullin.

Do të thosha se edhe Skënderbeu është në këtë garë. Pra do të jenë tri skuadra, që do të luftojnë fort mes tyre për vendin që do të plotësojë katërshen e parë në fund të kampionatit të rregullt. Dhe siç e theksova që në fillim, është shumë e vështirë të bësh parashikime me këtë ngjeshje skuadrash në renditje.

Në lojë janë realisht të tria, jo vetëm se janë ngjitur me pikë. Tirana ndoshta ka më shumë trysni, sepse vendi i 4-t është objektivi minimal që mund të arrinte këtë sezon. Por kjo skuadër është mësuar me këtë situatë, sepse gjithmonë ka pasur trysni pozitive për të arritur gjithmonë më të mirën. Dinamo është në një moment të mirë, po luan mirë dhe ka arritur një lloj stabiliteti.

Ka krijuar fizionominë e saj si skuadër, sepse këtë kohë është punuar realisht mjaft mirë. Dinamo gjithmonë i ka pasur kushtet, por këtë herë diferencën e bën pikërisht puna që ka bërë klubi dhe stafi teknik. Lojtarët po ashtu kanë merita, sepse e kanë rritur gjendjen e tyre. Skënderbeu pastaj është një skuadër simpatike, që luan futboll të bukur në fushën e vet dhe në transfertë. Mund të marrë pikë ndaj çdo kundërshtarit dhe ka shanset e veta.

Është një garë direkt edhe për objektivin. Tiranës i duhet më shumë, sepse i duhet të jetë patjetër në 4-she, kurse Dinamo nuk e nisi sezonin pa një objektiv të qartë për të qenë aty. Nëse Dinamo shkon në “Final 4”, mendoj se i plotëson të gjithë kushtet për të synuar titullin. Asgjë nuk është e pamundur”- eshte shprehur ai.