Nese flasim per sportin e mundjes ne Shkoder por edhe ne Shqiperi, padyshim qe protagonisti i ketij shkrimi ze nje vend te rendesishem ne “panteonin e arte” te tij. E kemi fjalen per Rrok Bardelin, kampionin e madh te ketij sporti, i cili pikerisht sot mbush 65 vjeç. Me kete rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Rrok Bardeli ka lindur në Shkodër më 1 shtator të vitit 1957. Sportin e mundjes e ka nisur herët, në vitin 1973 teksa pozicionet tek mundja e lirë. Në vitin 1975 dhe 1976 renditet i dyti në kampionatet e të rinjve për të shpërthyer dy vite më vonë dhe për të mos u ndalur më deri në fund të karrierës.

Në vitin 1978 ai do shpallej kampion i vendit, titull ky që do ishte i pari por që do shoqërohej edhe me të tjerë në vazhdim teksa Bardeli duke përfaqësuar Vllazninë do të shpallej kampion në peshën e tij edhe në vitet 1979, 1981, 1982, 1983, 1984, 1985, 1986, 1987 dhe 1988.

Përveç 10 titujve kampion, Rrok Bardeli do fitonte Kupën e Republikës në vitet 1980, 1981, 1982, 1983, 1985, 1986, 1987, pra edhe 7 trofe të tjerë në karrierën e tij.

Përpos kupave e kampionateve, një vlerësim të madh për një sportist ka patur edhe paraqitja në Spartakiadat Kombëtare. Rrok Bardeli ka qenë i suksesshëm edhe në to. Kështu, në Spartakiadën e vitit 1979 ai ka zënë vendin e parë dhe ka merituar medaljen e arit.

Të njëjtën gjë edhe në Spartakiadën e vitit 1984 ku ka përsëri vend të parë për të, ndërsa në Spartakiadën e vitit 1989 ka zënë vendin e dytë dhe ka marrë medaljen e argjendtë. Bardeli ka qenë një sportist i veçantë në llojin e tij teksa kundërshtarët e kanë patur shumë të vështirë dhe thuajse të pamundur ta hedhin atë në tapet.

Nderimet

Duke qenë një sportist elitar, ndër më të mirët e Shqipërisë, për Rrok Bardelin nuk kanë munguar nderimet. Kështu, në vitin 1981, për kontributin e tij në këtë sport, është nderuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me medaljen “Naim Frashëri” i klasit të parë. Në vitin 1990 ndërkohë ka marrë titullin “Mjeshtër i Merituar i Sportit”.

Në vitin 1999 i është akorduar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, titulli “Nderi i sportit shqiptar” për mundjen e lirë. Në vitin 2009 ndërkohë Bashkia Shkodër i ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qytetit” me motivacionin “sportisti më i suksesshëm në mundjen e lirë”.

Gjate vitit te kaluar, ne kuadrin e festimeve te 100 vjetorit te SK Vllaznia perveçse eshte shpallur “mundes i shekullit”, Rrok Bardeli eshte nderuar nga Presidenti i Republikes, z. Ilir Meta, me titullin e larte “Mjeshter i Madh”.
Gjergj KOLA