Një jetë e tërë me futbollin. Fillimisht si lojtar, më pas si drejtues e tashmë si trajner. E kemi fjalën për të mirënjohurin Armir Grima i cili sot ka një ngjarje të veçantë: Feston 50 vjetorin e tij të lindjes.
Ka lindur më 16 qershor 1974 dhe që në moshë të vogël do t’i përkushtohej sportit të bukur të futbollit duke spikatur menjëherë si një portier me shumë të ardhme. Pa i mbushur ende 16 vjeç do të debutonte në një ndeshje kupe me ekipin e parë të Vllaznisë, pikërisht më 11 mars 1990 në ndeshjen e luajtur në Fier ndaj Apolonisë.
Ndërkohë nga sezoni 1992-93 do të shndërrohej në një protagonist të padiskutueshëm të Vllaznisë me të cilën shpallet edhe kampion në sezonin 1997-98 dhe më pas do të largohej për në Greqi për të luajtur me Ethnikos të Pireut. Më pas rikthehet në Shqipëri ku luan edhe me Dinamon e Partizanin, për t’u rikthyer tek Vllaznia me të cilën do të fitonte Kupën e Shqipërisë në sezonin 2007-2008, madje duke qenë ai kapiteni që do ta ngrinte lart këtë trofe.
Do të vazhdonte të luante futboll deri në fundin e sezonit 2010-11 kur vendos të tërhiqet, por më pas, po atë vit do të merret detyrën e drejtorit sportiv të KF Vllaznia. Do ta mbante këtë pozicion deri në vitin 2016 kur do të jepte dorëheqjen ndërkohë që gjatë kësaj periudhe në momente të caktuara ka bërë edhe detyrën e trajnerit të Vllaznisë. Sakaq, prej tetë vitesh ai mban detyrën e trajnerit të kombëtares së femrave.
Kjo është karriera sportive e Armir Grimës i cili mbetet një figurë shumë e dashur dhe mjaft popullore e jo vetëm në Shkodër. Gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura dhe një karrierë sa më të suksesshme tashmë në stolin e kombëtares kuqezi!
Gjergj KOLA