Nëse flasim për historinë e futbollit shkodran dhe atij shqiptar të viteve ’80 dhe ’90, natyrisht që një emër i cili duhet të ndalesh patjetër është edhe ai i ish- futbollistit të Vllaznisë dhe kombëtares shqiptare, Zamir Shpuza.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me 55 vjetorin e lindjes së tij dhe për fat të keq kemi 10 vite që nuk e kemi më mes nesh, megjithatë kujtimet e tij janë të shumta dhe po ashtu është detyra jonë ta kujtojmë atë.
Zamir Shpuza ka lindur në Shkodër më 26 qershor 1968. Nis të merret me futboll që është pasioni i tij i madh dhe kalon tek ekipi Vllaznia, më pas luan për pak kohë tek Veleçiku, për t’u kthyer në Shkodër e më pas kalon tek Partizani në Tiranë.
Kthehet sërish në Shkodër ku është titullar i padiskutueshëm i formacionit kuqeblu ndërkohë që në janar të vitit 1992, Shpuza bashkë me Bishën do të kalonin tek Buduçnosti i Podgoricës.
Ai do të rikthehej sërish tek Vllaznia në verën e atij viti sërish në Shkodër tek Vllaznia me të cilën do ta nisë sezonin 1992-93 por vetëm për pak kohë sepse si¤ dihet në nëntor të atij viti, shumica e ekipit shkodran vendosi të mos kthehej në Shqipëri pas turneut që zhvilloi në Francë.
Dhe Zamiri ashtu si shumë kolegë të tij, vendosi të shkonte në Gjermani, aty ku jetoi derisa ndërroi jetë. Ai ka vazhduar të luajë edhe në këtë vende, fillimisht me FV Speyer ndërsa më pas ka kaluar tek Waldhof Mannheim.
Gjatë këtyre viteve ka qenë edhe anëtar i kombëtares shqiptare të futbollit me të cilën ka luajtur disa ndeshje. Pas lënies së futbollit, ka nisur të merret me menaxhimin e futbollistëve. Ai u nda nga jeta më 10 janar 2014, në moshën 45 vjeçare pas një sëmundje të rëndë, por duke lënë pas emrin dhe një karrierë shumë të suksesshme.
Gjergj KOLA