Në rradhët e kampionëve të mëdhenj të atletikës shkodrane, sigurisht që hyn edhe ai. Titujt kampion të fituar prej tij janë të shumtë. Ky është Arben Mlloja, kampioni i kërcimeve, i cili sot feston ditëlindjen e tij. Mbush 60 vjeç dhe me këtë rast në emër të gazetës “Shkodra Sport” i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
I lindur në Shkodër më 23 qershor të vitit 1964, ai shumë shpejt do të niste sportin e atletikës. E ka bërë këtë gjë që në moshën 10 vjeç kur ishte në klasat sportive.
Do vazhdonte të punonte me shumë pasion për të mbërritur aty ku mbërriti.Ndonëse karrierën e mbylli disi herët, 13 titujt kampionë që ka fituar, sigurisht që janë treguesi më i mirë i suksesit të tij. Duke mos harruar faktin se ka triumfuar në gara ku gjithmonë ka patur rivalitet të madh.
E kam nisur në moshën 10 vjeç kur ishte në klasat sportive me trajnerin e tij të parë Ismail Kombin, për të vazhduar më vonë me Vildan Tufin. Zgjodhi atletikën sepse i pëlqente ky sport, i cili do të bëhej shumë i dashur për të në vazhdim.
Gjatë karrierës së tij ka arritur gjithçka ka dashur. 13 titujt kampionë që ka fituar si individ janë treguesi më i mirë i karrierës së tij. Një karrierë në të cilën ka qenë i angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe natyrisht që është i kënaqur për atë që ka dhënë.
Përveçse me Vllazninë, ka konkuruar edhe me Partizanin në vitet 1986-88 kur ka qenë ushtar. Gjatë gjithë karrierës së tij rivaliteti më i madh ka qenë me Gjergj Rulin. Një herë fitonte Mlloja, njëherë fitonte ai. Kanë qenë vite për t’u mbajtur mend. Një shoqëri sportive e mrekullueshme, një impenjim maksimal i të gjithëve.
Arben Mlloja është stërvitur me dy breza sportistësh, atë më të vjetrin me Nefail Krajën, Ahmet Kryeziun, Pjerin Tafilin e garës së shtizës, Viktor Gjokën në gjyle, Hajrullah Shoshin në 800 m e Bashkim Ramekajn në maratonë. Për të vazhduar pastaj me një brez edhe më të shkëlqyer sportistësh si Tonin Sokoli, Ilo Pjetri, Ardian Miloti e më pas Arben Maka, Niko Laro, Oltion Luli, Arben Parmeza apo dhe femrat Vera Bregu e Arbana Bekteshi. Kanë qenë të gjithë kampionë të mëdhenj.
Arben Mlloja ka patur fatin të bëj atletikë e të punojë me trajnerë si Feti Dizdari, Syrri Hoti, Gëzim Mema, Gjon Camaj, Vildan Tufi, Hysni Bebeziqi, Isak Bala, Rrok Hila, Enver Dervishi, Kujtim Rrjolli, Besim Kurti etj. Besoj se janë emra shumë të njohur që nuk kanë nevojë për shumë koment.
Pas lësnies së sportit, nuk mund të ndahej kollaj nga pistat e atletikës dhe pedanat e kërcimeve. Për rrjedhojë ka konkurruar prej vitesh në garat e veteranëve teksa ka patur edhe suksese duke marrë 8 medalje arit, 4 argjendi dhe 3 bronzi.
Gjergj KOLA
Karriera si sportist:
Në moshën 11-12 vjeç, me klasat sportive rekord kombëtar në kërcim së gjati dhe trehapësh në Vlorë.
Në moshën 13-14 vjeç, rekord kombëtar në 60 m/p dhe 6 garësh në qytetin e Elbasanit
Në moshën 15-16 vjeç, në Durrës 11-16 korrik 1978 në Spartakiadën e 15-të Kombëtare të pionerëve, vend të dytë në kërcim së gjati.
Po për këtë moshë, në garat e zhvilluara në Vlorë më 20-21 korrik 1978 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit teksa në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 5.77 m grumbullon 855 pikë olimpike.
Në qytetin e Elbasanit nga data 1-2 korrik 1978 vendos rekord kombëtar për garën e 6 garëshit me 4623 pikë olimpike.
Në kampionatin kombëtar të moshave 15-16 vjeç që u zhvillua në Elbasan në datat 7-8 maj 1980 shpallet atleti më i mirë i aktivitetit në garën e 110 m/p me 891 pikë olimpike.
Me ekipin e të rinjve shpallet kampion për dy vite rresht në garat e kërcimit së gjati dhe shumëgarësh. Madje në garën e kërcimit së gjati, arrin kategorinë e parë sportive me 6.85 m duke qenë edhe anëtar i ekipit kombëtar të të rinjve.
Të rritur
Me të rriturit, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Elbasan nga datat 24-26 shtator 1984, shpallet kampion kombëtar në garën e kërcimit së gjati me rezultatin 7.22 m. Po në vitin 1984, në Spartakiadën e 5-të Kombëtare fiton medaljen e artë në kërcim së gjati dhe të argjendtë në 10-garësh.
Në vitin 1985, shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati dhe 10 garësh.
Në vitin 1988, këtë herë me ekipin e Partizanit, në kampionatin kombëtar të kërcimeve shpallet kampion kombëtar.
Në vitin 1989, në Tiranë më 27-29 qershor shpallet kampion kombëtar në dy gara, atë të kërcimit së gjati me rezultatin 7.44 m dhe në 10-garësh me 6320 pikë olimpike.
Në Spartakiadën e 6-të Kombëtare në shtator 1989, fiton dy medalje ari në kërcim së gjati dhe 10-garësh.
Po në vitin 1989, në garat e zhvilluara në Korçë për kupën “Kristo Isak” arriti rezultatin më të lartë të karrierës së tij në kërcim së gjati, 7.59 m.
Në 1990, në garat e sallave të mbylluara, në Insitutin e Fiskulturës “Vojo Kushi”, pikërisht në shkurt të këtij viti, arrin të thyejë rekordin kombëtar në kërcim së gjati me 7.14 m, rekord që mbahet edhe sot.
Po në vitin 1990, në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Tiranë më 13 shtator, shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati me 7.20 m dhe 10-garësh me 6320 pikë olimpike.
Në takimin mbarëkombëtar të zhvilluar në Korçë midis ekipit kombëtar turk dhe atij shqiptar, zë vendin e parë në kërcim së gjati me rezultatin 7.22 m.
Përsëri në vitet 1991, 1992, dhe 1993 shpallet kampion kombëtar në dy gara, kërcim së gjati dhe 10-garësh.
Pikërisht më 1993 mbyll karrierën si sportist në moshën 29 vjeçare me një bilanc shumë të pasur prej 13 medalje kampioni komëbëtar, 3 medalje ari në Spartakiadat Kombëtare dhe 2 medalje argjendi.
Karriera si veteran
Në vitin 2000 në Kampionatin Ballkanik të zhvilluar në Selanik arrin të fitojë dy medalje, 1 ari në hedhjen e gjyles dhe 1 argjendi në hedhjen e diskut.
Në vitin 2001 në Beograd arrin të përsëris të njëjtin sukses duke fituar 1 medalje ari dhe 1 argjendi.
Në vitin 2002 në Stamboll fiton dy medalje argjendi.
Në vitin 2003 në Selanik fiton dy medalje argjendi.
Si veteran ka arritur të fitojë 8 medalje ari, 4 argjendi dhe 3 bronzi.
Vleresimet
Për këtë karrierë shumë të pasur sportive, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, e ka dekoruar Arben Mllojën në tetor 2010 me “Medaljen e Argjendtë”.
Ndërsa në maj të vitit 2012, Federata Shqiptare e Atletikës, e ka nderuar me “Medalje” për kontribut shumë të madh në sportin e atletikës si kampion e rekordmen. Sot ai është sërish pranë sportit në rolin e fizioterapistit.
Ne vitin 2019 eshte vleresuar nga Bashkia Shkoder me titullin “Mirenjohje” si nje nga “atletet e shekullit te SK Vllaznia” me rastin e festimeve te 100 vjetorit te ketij klubi.
Ne vitin 2021 eshte vleresuar nga Presidenti i Republikes z. Ilir Meta me titullin e larte “Mjeshter i Madh” per kontributin e dhene ne sportin e atletikes.