Kur flasim për sportin e mundjes, kurrsesi nuk mund të anashkalosh një nga emrat më të shquar të saj, Agustin Mhillin. Do të shkruajmë sot për të sepse është një ditë e veçantë për këtë kampion. Mbush 60 vjeç dhe me këtë rast gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ka lindur në Shkodër më 29 shtator 1963. E ka filluar sportin në vitin 1977 dhe ndoshta rastësisht e nis nga mundja. Duke qenë se shtëpinë e kishte pranë Pallatit të Sportit (Sot Katedralja) ai ndiqte me interes përveç mundjes edhe sportet e volejbollit apo dhe të basketbollit.
Por për koinçidencë, një ditë teksa shihte me vëmendje një stërvitje të mundësve të Vllaznisë, është trajneri Xhevdet Elbasani që e pikas për mënyrën si e vështron stërvitjen dhe e fton të vijë edhe ai në tapet. Dhe nga ai moment nuk do të largohej më nga mundja, sport ku do të bëhej shumë i njohur.
Me të rinjtë shpallet dy vjet rresht kampion dhe në moshën 16 vjeçare kalon me të rriturit.Kalimi me ekipin e të rriturve do ta formonte edhe më shumë si sportist dhe në vitin 1984 do të vinte momenti i tij. Me ekipin e parë që drejtohet nga i mirënjohuri Eljaz Ahmeti, do të fitonte përvojën e duhur.
Në peshën 74 kilogramë për 5 vite me rradhë ka dominuar në tapetin shqiptar duke u shpallë kampion i padiskutueshëm dhe duke i dhënë emër jo vetëm vetes por edhe Vllaznisë në ato vite të paharruara, raporton “Shkodra Sport”.
Fitues edhe i dy medaljeve të arta në Spartakiadat Kombëtare por dhe i disa kupave si dhe është mbajtës i titullit “Mjeshtër Sporti”. Ai prej vitesh jeton në Belgjikë dhe sa herë që kthehet në Shkodër, kujton me nostalgji ato vite të sportit.
Në vitin 1986 do të fitonte të parin titull kampion në peshën 74 kg dhe ky titull do të pasohej nga katër të tjerë rradhazi, i fundit në vitin 1990. Në total pesë tituj kampion si individ ndërkohë që pas të tretit, në janar të vitit 1989 iu akordua titulli “Mjeshtër Sporti”.Agustin Mhilli ka fituar medaljet e arta në dy Spartakiada Kombëtare, në vitet 1984 dhe 1984. Po ashtu ka fituar edhe disa Kupa dhe trofe të tjera.
Kampioni i Vllaznisë do të grumbullohej disa herë në kombëtare në ato vite për aktivitetet ndërkombëtare që do të zhvilloheshin në Shqipëri sepse jashtë nuk ka dalë asnjëherë, shkruan “Shkodra Sport”.
Me ngjarjet e fillimit të viteve ’90 vendos ta lërë sportin, në një moshë shumë të re, vetëm 27 vjeç. Kishte shumë për të dhënë megjithatë merr vendimin për t’u larguar. Por edhe ekipi i mundjes thuajse u shkri në atë periudhë. Ky është Agustin Mhilli që provoi për një vit të bënte edhe detyrën e trajnerit pas viteve ’90, por do të largohej shpejt për mungesë palestre e kushtesh.
Ka lënë pas një emër shumë të mirë në sportin e mundjes dhe ndonëse nuk është përmendur shpesh, vlerat e tij nuk mund t’i mohojë askush. Vitin e kaluar, Bashkia Shkodër dhe Sportklub Vllaznia me rastin e festimeve të 100 vjetorit të Vllaznisë, e kanë vlerësuar atë me titullin e lartë “Mundës i shekullit”. Ndërkohë në dhjetor të vitit të 2021, ai u nderua nga Presidenti i Republikës Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.
Gjergj KOLA