Nga Gjergj KOLA

Nëse flasim për arbitrimin në Shkodër dhe Shqipëri, padiskutim që një nga emrat më të njohur të historisë së tij është ai i Tahir Kalacit. Shkodrani i njohur që ka mbajtur edhe stemën e FIFA-s, ka lënë gjurmë me arbitrimin e tij.

Sot është momenti për ta rikthyer në kujtesën e të gjithëve këtë njeri të mrekullueshëm sepse është data e lindjes së tij. Nëse do të ishte mes nesh, sot Tahir Kalaci do të festonte 87 vjetorin e lindjes.

Por kjo nuk na pengon të kujtojmë karrierën e tij të shkëlqyer si arbitër, drejtues i arbitrave dhe anëtari të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit.

I lindur në Shkodër më 27 mars të vitit 1937, Kalaci do të angazhohej shumë shpejt me arbitrimin me të cilin do të vazhdonte një jetë të tërë. E nisi atë në vitin 1962 dhe e mbylli me të në vitin 1987 duke qenë një nga arbitrat më të suksesshëm në futbollin shqiptar.

Do të mbetet në kujtesën e të gjithëve si një nga emrat më të njohur të arbitrimit shqiptar për vite e vite me rradhë. Kalaci ka qenë edhe kryetar i Kolegjiumit të Arbitrave të Shkodrës për shumë vite dhe po ashtu, ka qenë edhe anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Futbollit.

Nga duart e tij kanë dalë shumë arbitra me të cilët ne krenohemi. Kalaci vërtetë mund të konsiderohet i paarritshëm në arbitrim, ndonëse shpresojmë që të arrihet por deri më sot, absolutisht është arbitri më i mirë i Shkodrës, pse jo
edhe i Shqipërisë.

Ai ka arbitruar mbi 200 ndeshje në kategorinë e parë të futbollit shqiptar, sot kategoria Superiore dhe po ashtu edhe mbi 20 ndeshje ndërkombëtare ngaqe ka mbajtur per disa vite me rradhe edhe stemen e FIFA-s. Dhe në asnjërën prej tyre, nuk ka qenë asnjë problem. Natyrisht që nuk ka arbitrim pa gabime por gabimet e Tahir Kalacit kanë qenë kaq të vogla aq sa nuk pati ndonjë ekip në Shqipëri që ta refuzonte atë, çka ndodhte rradhë me një arbitër tjetër.

Ish- arbitri i FIFA-s u nda nga jeta më 18 shtator të vitit 2017 dhe padyshim që karriera e tij ka qenë dhe do të mbetet busullë orientimi për të gjithë ata që duan të merren me arbitrim./www.shkodrasport.com/