Nga Gjergj KOLA

Nëse do të ishte mes nesh, sot do të festonte 79 vjetorin e lindjes. Nazmi Kryeziu, është shënuar në altarin e atdheut si Dëshmor i Demokracisë bashkë me Arben Brocin, Besnik Cekën dhe Bujar Biashanakun. Ranë me 2 prill 1991, në qytetin ku ata u lindën e u rritën dhe të cilit i falën edhe jetën e tyre në përballje me diktaturën komuniste më të egër në Europën e Lindjes, që në grahmat e fundit ishte më e rrezikshme se kurrë.

Nazi do të merrete shumë urime sot, nëse do të ishte pranë familjes së tij në këtë ditë. Edhe nga kolegët dhe sportdashësit. Sepse Nazmi Kryeziu ishte një sportist elitar, një kampion e rekordmen që më mirë se askush, e njohin ata që garuan me të.

Ai ka lindur në Shkodër më 29 shtator 1945. Nazmi Kryeziu është marrë me sport në vitet 1960-1970 dhe të gjithë e mbajnë mend atletin bjond të ecjes sportive që për disa vite me rradhë u shpall nënkampion i vendit, shkruan shkodrasport.com

Në këtë shkrim, ka edhe një kujtim të një kuadri të vjetër sportiv, pikërisht Petrit Ketës që e përshkruan në këtë mënyrë atletin shkodran. “E kam patur dhe kundërshtar në garë, edhe sportist kur isha trajner i ekipit kombëtar në vitet 1969-1971. Ka qenë një njeri me zemër të madhe. Tepër i rregullt, i sinqertë e me vullnet në stërvitje. Ka patur një dashamirësi të madhe për shokët. Ka qenë një talent…”.

Portret- biografik të kësaj natyre njeriut i bëhet thuajse një herë në jetë. Dhe kur atë se ke të pranishëm, çdo gjë vështirësohet. Nazmi Kryeziu ka zhvilluar garën e parë në vitin 1963 me Vllazninë nën drejtimin e ish-rekordmenit të kësaj gare Dhimitër Banushi. Në vitet 1965-1966 ka konkurruar me Partizanin, nën drejtimin e Theodor Duros dhe deri në vitin 1973 ka konkurruar më pas me Vllazninë ku në fund ka patur si trajner dhe Besim Kurtin, citon shkodrasport.com

Më 21.6.1971 në Tiranë ka thyer një rekord kombëtar për të rritur në 10 km ecje sportive me kohën 47:24.7.0. Po atë vit ka arritur edhe rezultatet më të mira në 20 km ecje sportive dhe në 30 km me kohën 3.01.30 në Durrës.

Shkodranët e kujtojnë Nazmi Kryeziun por edhe Vildan Tufin si dy atletë që ringjallën traditën e garave të ecjes sportive pas kohës së Dh. Banushit në ekipin e Vllaznisë. Me të rinjtë, Nazmiu ka qenë kampion dhe rekordmen i Shqipërisë në 5 km ecje.

E kujtojmë me respekt atë ekip simpatik të Vllaznisë të atyre viteve me Ll. Vuksanin, E.Dervishin, H. Bebeziqin, D. Sherjen, N. Bilalin, A.Gurakuqin, M. Dulin, A. Danin, vëllain e tij A.Kryeziu dhe vetë Nazmiun. Ky i fundit ka lënë një respekt të madh dhe një emër të mirë edhe tek uzina Mekanike Bujqësore ku ka punuar.

Si fëmija i parë i 5 vëllezërve dhe 6 motrave, u detyrua t’i vërë shpatullat shtëpisë. Ndoshta për këtë arsye, nuk ju përkushtua tërësisht sportit. Ja çfarë kujton për të Mjeshtri i Sportit Sadik Demiraj. “Nazmiu më ngjall shumë kujtime. Jam njohur për herë të parë me të në një garë të kampionatit kombëtar të vitit 1963, në Korçë.

Kur përmend atë çast prezantimi, emocionet më shtohen dhe për një fakt tjetër. Pas më shumë se dy dekadash më qëllon mua që të përmend në shtyp emrin e të famshmit rekordmen të garave tona, Adem Samblin. “Njihu me këtë djalin-më thotë ai, është një talent, do të jetë një rekordmen i ardhshëm”- më thotë ai.

Me të vërtetë ai kishte një konstrukt të shkëlqyer. Një ecje të lirshme natyrale. Ai ka ndikimin më të madh në 15 rekordet që kam thyer. E kam patur kundërshtarin më të fortë por edhe shumë shok. Kur mësova për rënien e tij thashë se m’i vra një njeriu im i afërt”. Ky është shkrimi i para 32 viteve që na risjellë edhe njëherë këtë figurë sportive por njëkohësisht një “Dëshmori të Demokracisë”, Nazmi Kryziu./www.shkodrasport.com/