Nga Gjergj KOLA
Dita e sotme perkon me pervjetorin e lindjes te nje prej emrave te shquar te boksit shkodran dhe shqiptar- Viktor Martinit. Nese do te ishte mes nesh, sot do festonte 81 vjetorin e lindjes por per fat te keq eshte ndare nga jeta me 27 shtator te vitit te kaluar.
Viktor Martini ka lindur më 5 dhjetor 1943 dhe nga të gjithë sportdashësit kujtohet si një prej boksierëve më të mirë të kohës së tij. E ka filluar sportin në vitin 1958 kur ishte vetëm 15 vjeç dhe menjëherë do të vinin sukseset e para teksa do të shpallej fillimisht kampion i Shqipërisë me të rinjtë.
Kalon me të rriturit dhe si pjestar i ekipit të Vllaznisë do të shpallej dy herë rresht kampion, pikërisht në vitet 1961 dhe 1962, por ëndrrat e tij për boksin do të ndërpriteshin një vit më pas sepse u vendos mbyllja e sportit të boksit në vendin tonë.
Me rihapjen e boksit në vitin 1991, do të angazhohej bashkë me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Ramiz Halilin, Fadil Efovijën, Tonin Demën, Kolec Ashikun, Kujtim Demin etj për ngritjen e ekipit të Vllaznisë dhe me punën e tij si trajner do të spikaste duke nxjerrë me duart e tij shumë boksierë kampionë.
Do të vazhdonte të ishte trajner i Vllaznisë deri në vitin 2004 (me shkëputje të herëpashershme) dhe nga rradhët e tij ka nxjerrë sportistë të cilët Viktori i ka evidentuar gjithmonë dhe mbi të gjithë dy emra kampionësh: Besnik Gjetajn dhe Sead Bushatin. Ky është profili i këtij njeriu që ka qenë kampion dhe ka nxjerrë kampionë./www.shkodrasport.com/