Nga Gjergj KOLA
Vllaznia gjatë historisë së saj ka pa patur si pjesë përbërëse shumë futbollistë të cilët kanë lënë gjurmë me aktivizimin e tyre. Sot do të ndalemi tek karriera e kapitenit të kupës së parë të fituar nga klubi shkodran në vitin 1965.
Bëhet fjalë për Sadetin Zmijanin. Do të ndalemi sot tek kjo figurë e njohur sepse kjo ditë përkon me 88 vjetorin e lindjes së tij dhe prandaj ky është momenti i duhur për ta rikthyer në vëmendjen e të gjithë opinionit sportiv shkodran dhe jo vetëm.
Sadetin Zmijani ka lindur në Shkodër më 29 prill 1936 dhe me futbollin ka filluar të merret nga gjysma e parë e viteve ’50 teksa emri i tij do të shfaqej për herë të parë në formacionin e Vllaznisë. Luan në qendër të mbrojtjes dhe dallohet për sigurinë që i jep prapavijës. Do të vazhdonte të luante rregullisht me kuqeblutë derisa në vitin 1965 do të vinte momenti për të shijuar suksesin më të madh të karrierës së tij.
Pas finales së Kupës të Republikës ndaj Skënderbeut të fituar 1-0 nga Vllaznia me golin e Selami Danit, do të vinte edhe momenti kulminant për të ngritur lart kupën dhe këtë privilegj e pari i pari, kapiteni i kësaj skuadre, Deto Zmijani. Një gëzim i ligjshëm i tij por edhe i Paulin Ndojës, Frederik Çapalikut, Mehdi Millës, Nikoll Gjergjit, Kol Gjonit, Esat Rakiqit, Menduh Dedjes, Hajrullah Lekajt, Sabah Bizit, Selami Danit etj, me trajner të mirënjohurin Skënder Jareci.
Dhe Detoja do ta shijonte shumë sukses sepse ishte i vetmi për të në karrierën 17 vjeçare si futbollist i Vllaznisë, ku në 13 prej tyre ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit sepse ka qenë një lider i vërtetë si brenda ashtu edhe jashtë fushe.
Ai do të luante deri në fund të sezonit 1966-1967 dhe më pas do t’i jepte fund karrierës si futbollist, por ndërkohë për disa vite me rradhë ka punuar si një nga drejtuesit e sportit në Shkodër. Për 6 vite ka mbajtur detyrën e kryetarit të Komitetit të Fiskulturës për gjithë Rrethin e Shkodrës.
Në këtë mënyrë ai ka dhënë edhe si drejtues kontributin e tij të vyer për sportin shkodran duke lënë kujtime të mira tek të gjithë sportistëst e trajnerët e Vllaznisë në të gjitha llojet e sportit. Sadetin Zmijani ka ndërruar jetë më 12 dhjetor 2002 në moshën 66 vjeçare./www.shkodrasport.com/