Nga Gjergj KOLA
Kur flasim për sportin e mundjes në Shkodër duhet të matesh mirë. Në rradhë të parë për të mos gabuar dhe në rradhë të dytë për të mos harruar protagonistët e tij që në fakt janë të shumtë. Një gjë e tillë ndodh ngaqë mundja e Vllaznisë gjithmonë ka qenë në elitë dhe na ka dhuruar kampionë të mëdhenj.
Sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, pikërisht Ali Anza. Kjo sepse kjo ditë përkon me përvjetorin e lindjes së tij, atë të 67-tin. Në fakt, për fat të keq Alinë nuk e kemi më mes nesh prej 23 vitesh, por kjo nuk na pengon për ta rikthyer në vëmendje dhe për t’u treguar të gjithë sportdashësve (kryesisht atyre që nuk kanë patur fatin ta shohin në tapet) se kush ishte ai dhe çfarë cilësish kishte.
Po kush ishte Ali Anza?
Ka lindur në fshatin Shtoj I Vjetër më 29 tetor 1957 dhe shumë shpejt do të angazhohej me sportin e mundjes, kuptohet I ndikuar nga daja I tij, Eljaz Guri që kishte filluar të bënte emër në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare me sukseset e tij.
Alija do të afrohej pranë ekipit të të rinjve të Vllaznisë në vitin 1973, periudhë kur trajner ishte I mirënjohuri Sul Rama dhe që në fillim dallohet për një përgatitje të lartë fizike. Ishte shumë I rregullt në stërvitje.
Do të aktivizohej për herë të parë në kampionatin kombëtar të të rinjve, grupi B, pikërisht në ndeshjet gjysmëfinale që u zhvilluan në datat 21-24 ma 1973 në Lushnjë ku konkurron në peshën e tetë dhe zë menjëherë vend të parë.
Po ashtu në gjysmëfinalet e kampionatit kombëtar të të rinjve të zhvilluar në Vlorë në datat 12-14 mars 1975 konkurron në peshën e nëntë, atë deri 87 kg duke zhvilluar ndeshje të bukura dhe duke zënë sërish vend të parë. Ndërkohë në finalet e kampionatit kombëtar të të rinjve që u zhvilluan në Korçë më 7-9 gusht 1975 dallohet mbi të gjithë duke zënë vendin e parë dhe duke u shpallur kampion kombëtar për të rinj.
Pas aktivizimit me sukses me ekipin e të rinjve, kalon me të rriturit ku menjëherë do të spikaste për sukseset e tij. Ndonëse në moshë të re, ai shumë shpejt do të ishte në podiumin e shumë garave që zhvilloheshin, citon shkodrasport.com
Ndërkohë në vitin 1981, në garat e kampionatit kombëtar individual që u zhvilluan në Tiranë në muajin dhjetor, konkurroi në peshën e dhjetë dhe arrita të dalë në finale, aty ku u ndesh me Nikoll Grimën që në atë periudhë përfaqësonte 17 Nëntorin. Ali Anza bëri një ndeshje të shkëlqyer dhe u shpall fitues duke merituar në këtë mënyrë titullin kampion kombëtar me të rriturit, titull ky që ishte I pari për të.
Në vitin 1983 do të fitonte vendin e parë edhe në garat e Kupës së Republikës që u zhvilluan në muajin maj në Berat dhe Alija I fiton të gjitha ndeshjet duke zënë kësisoj vendin e parë në peshën e tetë, atë deri 90 kg.
Në finalet e Kupës së Republikës të vitit 1984 konkurroi në peshën e nëntë, atë deri 100 kg dhe shkoi deri në finale ku këtë herë humbi ndaj Nikoll Grimës dhe u mjaftua me vendin e dytë në këtë kupë.
Po në vitin 1984 do të zhvillohej edhe Spartakiada e Pestë Kombëtare, konkurroi në peshën e tetë, atë deri 90 kg duke zhvilluar ndeshje shumë të bukura dhe si rrjedhojë në fund duke I fituar të gjitha ndeshjet, zuri vendin e parë dhe meritoi medaljen e artë. Njëkohësisht dha kontributin e tij që edhe ekipi I Vllaznisë të meritonte medaljen e artë.
Në vitet e tjera, Ali Anza është gjithmonë aty në krye dhe gjithmonë konkurrente për vendin e parë falë ndeshjeve shumë të bukura që zhvillonte, shkruan shkodrasport.com
Ndërkohë në vitin 1991 do të shpallej për herë të dytë kampion I Shqipërisë sepse zë vendin e parë në garat e kampionatit kombëtar individual.
Si rrjedhojë e këtyre rezultateve, SK Vllaznia dhe Bashkia Shkodër me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Sportklub Vllaznia e kanë nderuar Ali Anzën me “Mirënjohje” si njëri prej 10 sportistëve më të mirë të mundjes klasike.
Ali Anza për fat të keq ka ndërruar jetë shumë herët, më 21 dhjetor të vitit 2001, në moshën 44 vjeçare. Traditën e tij në sportin e mundjes, po e vazhdon sot me shumë pasion I biri- Altini, I cili ka marrë përsipër të drejtoj ekipin e mundjes së Vllaznisë, me synimin e qartë për t’I dhënë këtij qyteti të tjerë kampionë të mëdhenj në këtë sport burrëror./www.shkodrasport.com/