Nga Gjergj KOLA
Sot duhej të ishin duke festuar ditëlindjen e tij. Familjarët dhe miqtë me siguri që do të mblidheshin tek lokali i tij për të festuar një tjetër përvjetor. Por prej katër vitesh e gjysëm, Viktor Jubani nuk është më mes tyre sepse eshte ndare nga jeta me 7 nentor 2018.
Por, kjo kurrsesi nuk do t’i pengojë ata, por as ne, për ta kujtur këtë volejbollist të mirë, këtë trajner të mirë, këtë muzikant të mirë dhe po ashtu edhe njeri të mirë, i cili pikërisht sot më 28 prill ka ditën e lindjes së tij dhe do të mbushte 81 vjeç.
Viktor Jubani e ka filluar sportin në vitin 1958 kur rregjistrohet me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Dhe po këtë vit, do të shpallej kampion i Shqipërisë me këtë ekip. Një vit më vonë është grumbulluar me ekipin kombëtar të volejbollit.
Po në vitin 1959, kalon tek ekipi i të rriturve të Vllaznisë, ndonëse është vetëm 16 vjeç dhe me të do të aktivizohej deri në vitin 1961. Ekipi shkodran në këto vite renditet në mes të tabelës së klasifikimit.
Në vitet 1961-1966 është student në Tiranë, dega bio- kimi dhe njëkohësisht gjatë kësaj periudhe është aktivizuar me ekipin e volejbollit “Studenti” ku ka luajtur në rolin e shuterit kryesor, madje ka qenë edhe kapiten i tij.
Viktori në vitin 1962 është grumbulluar me ekipin kombëtar të volejbollit, pikërisht në ndeshjet e kampionatit botëror që u zhvilluan në Moskë. Në vitin 1963 është grumbulluar me ekipin kombëtar të të rinjve për kampionatin e të rinjve që u zhvillua në Bullgari.
Në vitin 1966 ndërkohë do të bëhej pjesë e Dinamos dhe do të luante me të në Kupën e Kampioneve të Europës të edicionit 1966-67. Po në gusht të këtij viti, është grumbulluar dhe stërvitur për një muaj në Kinë me ekipin e Dinamos, duke u përgatitur për Kupat e Europës.
Në kuadër të këtyre ndeshjeve, në nëntor të vitit 1966 u luajt në Tiranë ndeshja e parë ndaj Virtus Bologna dhe Dinamos fitoi 3-0. Në dhjetor i zhvillua ndeshja e kthimit në Itali që u fitua nga vendasit 3-0, por dinamovitët u kualifikuan në turin tjetër për diferencë më të mirë pikësh.
Në janar 1967 u angazhua si pjestar i skuadrës së Dinamos kundër kampiones së Hollandës “Bllockers Den Haag”. Rezultati Dinamo 3-0 Bllockers Den Haag dhe 0-3 ne Hollande.
Viktor Jubani në vitin 1967 u kthye në Shkodër me punë në sektorin e arsimit dhe aktivizohet me ekipin e volejbollit Vllaznia, gjithmonë në rolin e shuterit kryesor dhe do të vazhdonte të luante deri në vitin 1974.
Gjatë kësaj periudhe me ekipin e Vllaznisë ka patur disa vite vendin e dytë në klasifikim e kampionatit kombëtar.
Por ndërkohë ka marrë 3 herë Kupën e Republikës dhe njëkohësisht ka luajtur në disa takime ndërkombëtare me ekipin përfaqësues të Pekinit, me ekipin rumun “Traktoral” Brashova etj, raporton shkodrasport.com.
Ka qenë pjesë e një brezi të shkëlqyer volejbollistësh si Haxhi, Fistani, Bakalli, Paloka, Bushati, Gjonaj, Sterkiq etj duke u vlerësuar edhe si “volejbollist i Shekullit” për SK Vllaznia duke lënë mbrapa shumë kujtime të cilat padiskutim do të kujtohen të gjithë jetën.
Në vitin 1974 është terhequr nga ushtrimi i aktivitetit sportiv me ekipin e Vllaznisë dhe ka filluar të japë kontributin e tij në klasat sportive të volejbollit. Nga ky vit dhe deri më 1989 njëkohësisht ka punuar si mësues i edukimit fizik në klasat sportive të volejbollit në Shkodër duke marrë pjesë në të gjitha aktivitetet kombëtare dhe ka zënë 5 here vende nderi. Nga nxënësit e stërvitur në klasat sportive, ka nxjerrë sportistë të dalluar e pjestarë të kombëtares tonë të volejbollit në vitet në vijim.
Ne vitin 1986 Viktor Jubani është caktuar si trajner i ekipit të volejbollit të paratërinjve e në vijim i të rinjve të Vllaznisë. Në shtator të vitit 1989 u emërua trajner i ekipit të parë të të rriturve të Vllaznisë duke zëë vende nderi. Në vijim është thirrur herëpashere nga Klubi Sportiv Vllaznia për të dhënë mendime e kontribute të ndryshme në çështjen e rritjes të cilësisë së volejbollit, trajnerëve dhe brezave të lojtarëve, citon shkodrasport.com.
Por përveçse si mësues, sportist e trajner, Viktor Jubani në profesion ka qenë biokimist me profesion dhe si rrjedhojë hapi Agjensinë Kombëtare të Mjesisit në Shkodër të cilën e drejtoi derisa doli në pension. Po ashtu, të gjithë e kujtojnë këtë personazh edhe si një muzikant shumë të zotin. Ai luante në fizarmonikë me stilin e tij të mirënjohur. Muzika e tij e preferuar ka qenë JAZZ-i.
Po ashtu, Viktor Jubani ka qenë edhe koleksionist e filatelist. Kishte shumë pasione të bukura si motorin “Vespa”, radion, e mbi të gjitha, ishte një qytetar i mirë dhe i respektuar. Pjestar i një prej familjeve më të vjetra e qytetare të Shkodrës. Ky ishte një profil i shkurtër i Viktor Jubanit në këtë 80 vjetor të lindjes së tij, i cili është ndarë nga jeta, por duke lënë pas shumë kujtime të bukura./www.shkodrasport.com/