Një nga emrat më të shquar të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare padyshim që është edhe shkodrani Arben Makaj i cili pikërisht sot feston 57 vjetorin e tij të lindjes bashkë me njerëzit e tij të dashur. Me kete rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron kampionit Arben Makaj edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Një ngjarje e shënuar për njërin nga sportistët e vlerësuar si njëri nga “atletët e shekullit të SK Vllaznia” gjatë festimeve të vitit të kaluar me rastin e 100 vjetorit të këtij klubi.
Po kush është Arben Makaj? Ka lindur në Shkodër më 16 qershor 1967 dhe që në moshë të vogël do të merrej me sportin e bukur të atletikës duke u fokusuar tek garat e shpejtësisë.
Ai ka qenë një nga sprinterët më të mirë të vendit teksa jo vetëm është shpallur disa herë kampion, por ka vendosur edhe rekorde të reja në disa gara. Kështu, ai njihet si rekordmen i garës së 60 metrave me kohën 6″77, në 100 metra me kohën 10″56 dhe në 200 metra me kohën 22″40, ky i arritur në vitin 1992.
Ka dalë 10 herë kampion i Shqipërisë, ka thyer 3 rekorde kombëtare (është mbajtës i rekordit të 100 metrave me kohën 10″57), ka qenë pjesë e ekipit kombëtar për shumë vite duke marrë pjesë në shumë Kampionate Ballkanike, Europiane dhe Botërore. Rezultati më i mirë në këto gara ka qenë medalja e brozntë e fituar 2 herë në stafetën 4 x 100 në Ballkaniadë.
Prej shumë vitesh jeton në Itali, vend ku ka vijuar të merret me këtë sport tashmë edhe në garat e veteranëve. Në vitin 2007 ka marrë pjesë në Kampionatin Botëror Master duke shkuar deri në gjysmëfinale. Ka arritur të marrë medaljen e argjendtë në Kampionatin Botëror të sallave të mbyllura në garën e 60 metrave në kategorinë e moshës deri 40 vjeç me kohën 7″13, pasi kishte arritur në gjysmëfinale kohën 7″08.
Në korrik të vitit 2008 ndërkohë është laureuar kampion Europe për sportistët e moshës deri 40 vjeç në garën e 100 metrave me kohën 11″28.
Gjergj KOLA