Nga Gjergj KOLA
Shkodra është shquar në shumë fusha të jetës dhe kuptohet që një ndër to është edhe sporti. Në këtë qytet kanë lindur disa prej sporteve dhe kuptohet që kjo gjë e bën të ndihet mirë atë.
Por nga ana tjetër, ky qytet ka nxjerrë edhe gazetën e parë të sportit, ka patur një nga emrat më të shquar të historisë së gazetarisë sportive, të madhin Anton Mazreku, por prej më tepër se 50 vitesh është edhe një tjetër personalitet që ka lënë gjurmë në fushën e publicistikës.
E kemi fjalën për profesor Besnik Dizdarin, gazetarin e mirënjohur i cili është shndërruar në ikonën e gazetarisë sportive shqiptare. U ndalëm sot tek ky personazh sepse ka ditëlindjen, feston 82 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Besnik Dizdari ka lindur në Shkodër më 29 tetor 1942. Ka nisur të shkruajë që kur ishte nxënës në Gjimnazin e Shkodrës dhe më pas, gjatë studimeve në Institutin Pedagogjik “Aleksander Xhuvani” në Tiranë.
Ka qenë gazetar në gazetën “Bashkimi” në vitet 1968-82 dhe më pas është kryeredaktor në gazetën “Sporti Popullor” në vitet 1982-1999 ndërsa pas këtij viti themelon revistën “Futbolli shqiptar” të cilën e drejton ende deri më sot.
Ai është një nga gazetarët më të njohur të vendit, gjithnjë origjinal, i freskët dhe kërkues në profesionin e tij. Për 17 vjet ka qenë kryeredaktor i gazetës më të vjetër në Shqipëri, “Sporti Shqiptar” të cilën e rithemeloi.
Ka botuar shumë libra historikë për kampionatet shqiptare por edhe për kombëtaren tonë, duke qenë një penë shumë e vyer në historinë e publicistikës sportive shqiptare. Besnik Dizdari është prej vitesh edhe predident i Shoqatës së Gazetarëve sportivë shqiptarë.
Ai është nderuar në vite me disa tituj të lartë, përfshi edhe atë akorduar nga Presidenti i Republikës, z. Ilir Meta, titulli i lartë “Kalorësi i urdhërit të Flamurit. Kuptohet që Besnik Dizdari meriton gjithçka sepse është një personalitet që i bën nder Shkodrës dhe Shqipërisë./www.shkodrasport.com/