Nëse flasim për futbollin shkodran dhe atë shqiptar të viteve ’90 apo dhe ‘2000, kuptohet që një nga emrat që kurrsesi nuk mund të anashkalosh është edhe ai i Safet Osjes. Një emër i nderuar dhe i respektuar për gjithçka ka dhënë dhe vazhdon të japë për futbollin
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë është e veçantë për të sepse ai mbush 47 vjeç dhe me këtë rast, në emër të gazetës “Shkodra Sport” i uroj atij edhe 100 vite te tjera te lumtura!
I lindur në Shkodër me 17 tetor 1975, futbollin do ta niste shumë herët por duke mos gjetur hapësira tek Vllaznia, karrierën e tij me të rriturit e nis nga Laçi.
Luan me të një sezon sepse në vitin 1996, trajneri Hysen Dedja do ta rikthente në Shkodër. Luan me shumë sukses në rradhët e saj deri në fund të sezonit 2003-04 dhe më pas kalon tek Elbasani, skuadër me të cilën luan dy vite dhe është pjesë e saj kur ajo do të shpallej kampione e Shqipërisë.
Rikthehet në vitin 2006 në Shkodër dhe vazhdon të luajë deri në vitin 2010. Karrierën do ta mbyllte tek ekipi i Adës ndërkohë që menjëherë pas përfundimit të saj, do të niste për disa kohë punën e trajnerit. Fillimisht tek Akademia Vllaznia dhe më pas, për njëfarë periudhe në sezonin 2012-2013 është edhe zëvendëstrajner tek ekipi i parë i Vllaznisë.
Ka luajtur në rolin e mbrojtësit dhe mesfushorit të krahut të djathtë por edhe si shkatërrues herëpashere duke u shquar për grintë dhe karakterin e shfaqur në fushën e lojës. Ka luajtur gjithnjë me fanellën me numrin 5 dhe përveç titullit kampion të fituar në Elbasan, është shpallur kampion edhe me Vllazninë në sezonin 1997-1998 si dhe në sezonin 2000-2001.
Ka fituar me të edhe Superkupën në vitin 2001. Safet Osja kësisoj ka shkruar emrin në librin e artë të futbollit shkodran. Një futbollist model në fushë dhe jashtë saj.
Ndërkohë ka punuar edhe si zevendestrajner i Vllaznise duke qenë fillimisht përkrah me Hasan Liken, me pas me Agim Canajn, Mirsad Jonuz, Hysen Dedjen dhe në fund me Thomas Brdariç.
Gjergj KOLA