Nga Gjergj KOLA
Një nga personazhet më të njohura të futbollit shkodran, padyshim që është Hysen Dedja. Futbollisti që ka luajtur më shumë ndeshje nga të gjithë me fanellën kuqeblu, trajneri i suksesshëm dhe tifozi i madh i Vllaznisë.
Dita e sotme është e veçantë për këtë personalitet të futbollit shkodran dhe atij shqiptar sepse mbush 64 vjeç dhe me këtë rast, dhe ne emer te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj, i urojme edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Hysen Dedja është një nga ish-lojtarët më të njohur të futbollit shkodran dhe atij shqiptar. Ish-mbrojtësi i shquar dhe kapiten i Vllaznisë me të cilën ka fituar pesë trofe: dy kampionate (në sezonet 1982-1983 dhe 1991-1992) dhe tri Kupa të Shqipërisë (1978-1979, 1980-1981 dhe 1986–1987), ndërkohë që si trajner i saj ka dalë kampion në sezonin 1997-1998). Ai ka fituar dhe titullin Kampion Ballkani me Shpresat në vitin 1981.
Ka lindur në Shkodër më 16 teto1 1960 dhe me futbollin do të lidhej që në moshë të vogël, 12 vjeç. Pasionin për këtë lojë ia kishte injektuar i vëllai, Menduhi, një nga lojtarët e shquar të Vllaznisë së viteve ’60-’70. Seri, siç e thërrasin të gjithë, rregjistrohet tek ekipi i fëmijëve me trajnerë Tonin Krajën dhe Selami Danin në shkollën sportive. Më pas ka vazhduar me Xhelal Jukën me paratërinjtë, një trajner shumë i madh, ndërsa me të rinjtë ka patur trajner Esat Rakiqin, citon shkodrasport.com
Në moshën 18 vjeçare, trajneri i ekipit të parë Xhevdet Shaqiri e merr në stërvitje dhe madje e aktivizon për herë të parë pikërisht më 16 tetor 1978, ditën kur ai kishte ditëlindjen në një ndeshje kundër Flamurtarit në Vlorë. Dhe kështu do të merrte udhë karriera e tij me Vllazninë, me të vetmin ekip me të cilin e nisi dhe e mbylli karrierën.
Në vitin 1981 duke qenë pjesë e kombëtares Shpresa shpallet kampion i Ballkanit në Vollos të Greqisë. Ishte një ekip mjaft i mirë me trajner Shyqyri Rrelin dhe ndihmëstrajner Ramazan Rragamin. Dedja me Shpresat ka luajtur 17 ndeshje dhe ndonëse është grumbulluar disa herë me ekipin e parë kombëtar në vitet 1982-84, nuk ka patur asnjëherë shansin të luante me të.
Karriera me Vllazninë do të vijonte me sukses, duke fituar disa trofe rradhazi si pjesë e një brezi të shkëlqyer lojtarësh të atyre viteve si Ferid Rragami, Faslli Fakja, Fatbardh Jera, Selman Gruda, Luan Vukatana, Ferid Borshi, Astrit Hafizi, Seit Çanga, Ardian Bushati. Për ekipin e Vllaznisë ka luajtur 17 vite me radhë, nga viti 1978 dhe deri në vitin 1995. Ka qenë kapiten i Vllaznisë, për një periudhë tetëvjeçare, 1988-1995.
Menjëherë sapo la futbollin, nisi punë si inspektor i klubit Vllaznia, ku sekretar klubi ishte Selami Dani dhe trajner skuadre ishte Sabah Bizi. Një vit më vonë, e zgjedhin trajner të Vllaznisë dhe dy vjet më vonë, pikërisht në sezonin 1997-1998, e shpall kampion atë. Kishte një grup të mirë lojtarësh si: Armir Grima, Alban Noga, Luan Zmijani, Suad Lici, Safet Osja, Armando Cungu, etj.. U shpallën gjashtë javë përpara se të përfundonte kampionati, shkruan shkodrasport.com
Pas Kupave të Europës, e largojnë nga drejtimi i Vllaznisë dhe ai do të vijonte të drejtonte ekipe të tjera si Bylis, Lushnja, Teuta, Luftëtari, sërish tek Vllaznia në sezonin 2002-2003, e më vonë ka punuar tek Laçi, Egnatia e Rrogozhinës, Erzeni i Shijakut, Bylis, Lushnja sërish ndërkohë që pak kohë më parë drejtoi Vllazninë në fundin e sezonit 2019-2020 duke arritur me të objektivin për të qëndruar në Superligë, ndonëse e mori skuadrën në një moment të vështirë.
Hysen Dedja është një figurë mjaft e njohur dhe e respektuar në Shkodër e më gjerë. Ka dhënë shumë për Vllazninë dhe si i tillë meriton vlerësim të jashtëzakonshëm./www.shkodrasport.com/