Nga Gjergj KOLA

Dita e sotme është e veçantë për familjen Marku dhe jo vetëm. Kjo ngaqë një pjestar i saj, pikërisht gazetari i mirënjohur Gasper Marku feston ditëlindjen. Një përvjetor i 65-të i lindjes së tij që natyrisht duhet festuar pasi kemi të bëjmë me një nga figurat më të njohura të gazetarisë sportive shkodrane dhe më gjerë, i cili prej 47 vitesh jep një kontribut të shkëlqyer në pasqyrimin dhe evidentimin e të gjithë sportit.

Nuk besojmë se ka njeri që nuk e njeh Gasper Marku, nuk besojmë se nuk ka njeri të sportit të mos jetë intervistuar prej tij dhe kjo e bën atë të pakrahueshëm.

Ai padyshim që është një vlerë e këtij qyteti dhe vërtetë që ka marrë disa nderime, por meriton edhe më shumë. Jo më kot, sot në këtë përvjetor të lindjes së tij, po ju japim edhe një CV të karrierës së tij në gazetari.

Lindi në Shkodër 06.11.1959 ku mbaroi arsimin fillor dhe të mesëm. U diplomua në fakultetin Gjuhë-Letërsi në Universitetin “Luigj Gurakuqi”. Pas studimeve të larta ka kryer një sërë kualifikimesh dhe trajnimesh në fushën e medias.

-Që nga viti 1977, kur debutoi në emisionet sportive të Radio Shkodrës dhe deri më tani vazhdon pa shkëputje duke qënë shumë aktiv në gazetari, ku përveç fushës së sportit që është edhe pasioni i tij kryesor, ka edhe angazhime të tjera mediatike në mediat elektronike dhe ato të shkruara.

-Duke qënë pjesë e një familje sportive, ku dy vëllezërit më të mëdhenj merreshin me sportin, njëri me mundjen klasike, dhe tjetri me basketboll, edhe Gaci, siç njihet nga bashkëqytetarët e tij e më tej, do t’i bashkangjitej shumë shpejt, fushës së sportit. Futbolli është sporti i parë që preferon, ku në pozicionin e portjerit aktivizohet deri me ekipet e të rinjve të Vllaznisë. Më pas për dy vite është pjesë e ekipit të mundjes klasike për të rinjë, ndërkohë që vazhdon dy-tre vite edhe sportin e qitjes.

Tradita sportive e familjes “Marku” do të vijonte më pas me të birin, Antonion, i cili vazhdon të luajë ende futboll, tashmë pjesë e ekipit të Teutës, kur më përpara ai ka qenë pjesë edhe e disa ekipeve të Superligës, përfshi këtu padyshim edhe Vllazninë, me të cilën në fakt ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit.

-Si ish sportist dhe si një njohës i mirë i shumë sporteve nxitet të fillojë bashkëpunimet me Rubriken Sportive të Radio Shkodrës, ku që në vitin 1977, është pjesë aktive e këtij emisioni radiofonik në pasqyrimin e shumë sporteve.

-Në shtypin e shkruar emri i Gac Markut shfaqet për herë të parë me 20 Nëntor të vitit 1979 duke botuar shkrimin e parë sportiv, në gazeten e vetme sportive në Shqipëri, “Sporti Popullor” me kryeredaktor, Agim Korbi. Që prej asaj dite dhe deri më sot, firma e Gac Markut deri në vitet 90-të, dhe më pas, me emër të plotë, Gaspër Marku, nuk do të mungojë për asnjë ditë në media.

Emri i Gaspër Markut spikat edhe në gazeten lokale “Jeta e Re”, korespondent i Radiotelevizionit Shqiptar, i gazetes Bashkimi, Zëri i Rinisë, Zëri Popullit, Luftëtari, “Rilindja Demokratike”, “Koha e Jonë”, “Illyria”(SHBA), dhe i revistave “Pionieri”, “Ylli”, “Në shërbim të popullit”, “Sporti dhe jeta”, dile vijuar të pasqyrojë me passion aktivitetin sportiv të ekipeve të Vllaznisë të qytetit të Shkodrës, si dhe në përgjithësi të Qarkut Shkodër.

-Në vijim të pas viteve 90-të vijon me po të njëjtin passion aktivitetin e tij si gazetar i gazetave “Vllaznimi sportiv”, “Sporti Popullor (“Sporti shqiptar”) dhe “Sport Ekspres” për Qarkun e Shkodrës.

-Me hapjen e mediale televizive lokale ka qenë gazetar sportiv pranë Shkodra TV-1, Rozafa dhe Antena Nord, ndërsa prej disa vitesh është pjesë e RTSH SHkodra
.

-Korespondent i Qarkut të Shkodrës për “Telenorben shqiptare”, TV-Klan, TV-Koha, dhe RTV “Alsat”.

-Për 13 vite me rradhë ka qenë gazetar i Qarkut të Shkodrës për ATSH-në (Agjencinë Telegrafike Shqiptare”.

-Për dy mandate të qeverisjes vendore, ka ushtruar detyrën e zëdhënësit të shtypit të Bashkisë Shkodrës.

-Gjatë bashkëpunimit me televizionet qëndrore ka ushtruar edhe detyrën e operatorit televiziv me kamera.
-Si kronist, reporter, korespondent e redaktor lëvron larminë e llojeve gazetareske, kroniken, reportazhin, komentin, repliken, editorialin, skicen, portretin, përshkrimin, etj.

-Gjatë aktivitetit të tij ka kryer edhe detyra drejtuese: Sekretar i Shoqatës Publicistike Sportive “Anton Mazrreku”, Sekretar kolegjumi i gazetës “Vllaznimi sportiv”, Shef i departamenteve të sportit në televizionet lokale, Drejtor i televizionit Rozafa, Drejtor ekzekutiv i Unionit të gazetarëve Profesionistë të Veriut, Drejtor i gazetes së ribotuar “Vllaznimi Sportiv”.

-Prej majit të vitit 2016 është zgjedhur kryetar i degës së Shkodrës të Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë.

-Gaspër Marku është njëkohësisht anëtar i Shoqatës së gazetarëve sportive të Shqipërisë, si dhe i zgjedhur në forumet drejtuese të kësaj shoqate.

Në të njëjtën kohë është edhe anëtar i Shoqatës Ndërkombëtare të gazetarëve sportive-AIPS. Në fundmajin e vitit 2014, Gaspër Marku, ishte i vetmi që përfaqësoi Shqipërinë në Kongresin Botëror të Gazetarëve Sportivë të zhvilluar për tre ditë me radhë në kryeqytetin e Azerbajxhanit-Baku, ku gjatë punimeve të saj, ai u nderua me një titull për kontributin e çmuar të dhënë në 35 vite të karrieres publicistike sportive duke pasqyruar sportin shkodran dhe atë shqiptar në përgjidhësi.

-Njëkohësisht, për vlerat e tij të spikatura në gazetarinë sportive, Gaspër Marku, është nderuar nga Presidenti i Republikës me Medaljen “Naim Frashësi i Klasit të tretë”.

-Ai është edhe fitues i çmimit “Anton Mazrreku” në gazetarinë sportive mbarëkombëtare shqiptare me motivacionin e ideuesit dhe realizuesit të të parit emision televiziv sportiv në mediat lokale të qytetit të Shkodrës.

-Në viti 2015 është nderuar nga Këshilli Bashkiak Shkodër me titullin e lartë sportiv “Palok Nika”.

*Gazeta “Shkodra Sport” i uron kolegut te saj edhe 100 vite te tjera te lumtura dhe sigurisht qe eshte e bindur se kontributi i tij per sportin shkodran dhe ate shqiptar do te vazhdoje te jete po aq i madh edhe ne te ardhmen teksa vazhdon të punojë me shumë pasion çdo ditë për RTSH Shkodra.