Nga Gjergj KOLA
Në basketbollin shkodran kanë lënë gjurmë edhe lojtare që në fakt origjinën nuk e kanë patur nga ky qytet, por janë bërë shpejt pjesë e rëndësishme e ekipit të Vllaznisë me lojën dhe talentin e shfaqur në fushën e lojës. Njëra prej tyre është ish- basketbollistja e njohur Valdete Lipe.
Po ndalemi sot tek ky personazh sepse është një ditë e veçantë për të. Ajo mbush 71 vjeçe dhe në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë kampiones tonë edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Me baben nga Korça dhe nënën podgoriçane, Valdete Lipe ka lindur më 1 shkurt 1953 në Shkodër, qytet ku dhe është rritur dhe bërë e njohur. Në fakt familja “Lipe” ka qenë e gjitha me sportin. Vëllai i madh, Bashkimi ka qenë atlet dhe gjatë kryerjes së shkollës së Bashkuar, ka përfaqësuar ekipin e Partizanit në hedhjen e diskut.
Vëllai tjetër, binjaku i Valdetes- Skënderi, i ndarë nga jeta prej 40 vitesh, ka qenë kampion në mundjen e lirë. Po ashtu edhe vëllai i vogël, Fiqiret Lipe ka qenë mundës në stilin greko- roman.
Ndërkohë Valdetja fillimisht do të angazhohej me ekipin e atletikës që në moshë të vogël, ndërsa me sportin e basketbollit është lidhur në vitin 1969, kur në Tiranë zhvilloheshin finalet e Spartakiadës së 2-të Kombëtare. Basketbollin e kishte luajtur që në moshën 13 vjeçare kur ka përfaqësuar Shkodrën në Spartakiadën e pionerit të zhvilluar në Lushnjë.
Madje edhe Spartakiadën e dytë Kombëtare, ajo ka shkuar me ekipin e qitjes dhe ka zënë vend të dytë. Ndërkohë, duke ia njohur aftësitë, pati një “sherr” mes trajnerëve të volejbollit- Flamur Agollit dhe atij të basketbollit- Skënder Osmanit, raporton shkodrasport.com
Në ato vite duhet thënë se niveli i basketbollit ka qenë i dobët. Meqenëse nuk kishte ekip të rejash, Valdetja do të kalonte direkt në ekipin e parë dhe madje menjëherë edhe në pesëshen e parë. Ka luajtur në pozicionin qendër.
Kur ka filluar sportin e basketbollit, ajo ka gjetur në ekip sportiste si Diana Pali, Belkize Këçiçi, Artenca Tufi, Xhane Gega, Xhuli Shestani, Isabela Gera dhe Zyliha Ymeri. Ndërsa në vitet më vonë, ka luajtur edhe me Lumnije Syka, Rozi Ukaj, Farida Zmijani, Mimoza Kraja, Bardhylka Beshiri, Silva Kraja, Hydajete Burrja etj.
Do të luante për 10 vite me rradhë me fanellën e Vllaznisë duke qenë një nga lojtaret më të mira të saj por edhe të gjithë basketbollit shqiptar në pozicionin e saj, atë të qendrës. E mbylli karrierën në vitin 1979, menjëherë pas martesës sepse vendosi t’i përkushtohej më shumë familjes.
Megjithatë Valdete Lipe do të kujtohet nga të gjithë për lojërat e shkëlqyera që ka zhvilluar në pallatet e sportit, do të mbahet mend nga të gjithë sportdashësit si një basketbolliste shumë e fortë në duelet me kundërshtaret dhe po ashtu edhe si një vajzë e shkëlqyer në raport me shoqet e ekipit dhe me trajnerët./SHKODRA-SPORT.COM/