Kur flet për basketbollin në Shkodër kurrsesi nuk mund të lësh pa përmendur edhe një nga “qendrat” më të mira, Avenir Kalaja. Ai ka spikatur me shumë sukses në rradhët e Partizanit, Vllaznisë, por edhe kombëtares shqiptare duke shkruar emrin e tij në historinë e këtij sporti.
Po ndalemi sot tek personazh sepse ajo përkon me ditëlindjen e tij. Avenir Kalaja feston 69 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, në emër të gazetës ‘Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ka lindur në Shkodër më 11 qershor 1955 dhe basketbollin e ka filluar në fakt jo në Shkodër por në Tiranë tek Partizani. Ai ka shkuar në Tiranë për të vazhduar shkollën “Skënderbeg” dhe aty duke luajtur me shokët e shkollës, ka rënë në sytë e trajnerit Njazi Lleshi i cili vlerëson shtatëlartësinë e tij dhe e fton tek ekipi i basketbollittë të rinjve të Partizanit.
Luan vetëm një vit me këtë ekip dhe më pas kalon tek të rriturit e ekipit të kuq. Me të do të fitonte dy tituj kampion në sezonet 1973-74 dhe 1974-75, po ashtu dy Kupa të Republikës si dhe finalet e Spartakiadës Kombëtare të vitit 1974.
Luan me sukses përkrah emrave të tillë si Agim Fagu, Nikolin Pali, Kushtrim Zaçe, Besnik Pllumbi, Albert Kuqo, Kastriot Mushi, Viktor Papavangjeli etj, me trajnerë Astrit Grevën, Qemal Shalsin etj, ndërkohë që është edhe pjesë e kombëtares në ato vite me trajner Feti Borovën.
Në vitin 1975 mbaron shkollën në Tiranë dhe kthehet në Shkodër tek Vllaznia me të cilën do të luante deri në vitin 1987. Luan përkrah Dhimitër Taçit, Mehdi Bajri, Zef Gjoni, Lorenc Mosi, Rajmond Rasha, Refik Vorfa, Agim Haliti, Hydajet Kotrri, Marin Shestani, Lek Sinishta, Korab Llazani, Sokol Kalaj, Mikel Gjoni, etj.
Gjatë këtyre viteve do të fitonte dy herë Kupën e Republikës, pikërisht në vitin 1981 dhe 1985. I gjatë 2.03 metra, Avenir Kalaja spikaste me lojën e tij poshtë tabelës duke qenë një nga emrat më të spikatur të basketbollit shqiptar në ato vite.
Pas lënies së sportit, ka vazhduar të jetë pranë basketbollit sërish, teksa ka punuar për vite me rradhë si trajner me moshat e vogla. Mbetet një nga emrat që ka lënë gjurmë në historinë e Vllaznisë dhe që meriton respekt të veçantë për kontributin e tij të dhënë në këtë sport.
Gjergj KOLA