Vllaznia e viteve ’80 në basketboll ka qenë një ndër ekipet më të mira të historisë së këtij sporti në Shkodër. Kjo ngaqë pjesë e tij kanë qenë basketbollistë të cilët kanë lënë gjurmë në histori me lojën dhe talentin e tyre. Ekipi i atyre viteve konsiderohet si ai që i dha kthesën në cilësi basketbollit shkodran.

Njëri prej pjestarëve të këtij brezi është edhe Korab Llazani, njeriu i cili sot ka ditëlindjen, feston 63 vjetorin e lindjes së tij. Me këtë rast, ne emer te redaksise se gazetes “SHkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj i urojme atij edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Korabi ka lindur në Shkodër më 23 korrik 1961 dhe do të angazhohej shpejt me basketbollin, i cili do të kthehej në elementin më të rëndësishëm të jetës së tij. Do të luante me Vllazninë nga viti 1978 deri në në vitin 1993, madje edhe shpallet kampion me këtë ekip në sezonin 1989-90. Njëkohësisht ka qenë edhe pjesë e ekipeve kombëtare për një dekadë me rradhë, në vitet 1980-1990.

Ndërkohë pas lënies së karrierës sportive, ai do të niste atë si trajner duke punuar fillimisht me moshat ndërkohë që në vitin 1995 do të ishte një nga themeluesit e shoqatës sportive “Shkodra Basket”.

Korab Llazani më pas do të largohej nga Shkodra për në Tiranë, do të niste punë fillimisht si inspektor pranë Federatës Shqiptare të Basketbollit për dy vite me rradhë, 1999-2000, më pas do t’i rikthehej detyrës së trajnerit duke drejtuar ekipin e Valbonës, me te cilin ka arritur shume suksese. Ashtu siç ka qenë edhe trajner i kombëtares së të rinjve fillimisht dhe më pas i të rriturve.

Ndërkohë që prej vitit 2008 e deri para pak muajsh ka mbajtur postin e sekretarit të përgjithshëm të Federatës, detyrë që e ka bërë për një periudhë të gjatë prej 15 vitesh dhe një jetëgjatësi e tillë në këtë detyrë sigurisht që është treguesi më i mirë se ai ka ditur ta bëjë si duhet këtë punë dhe prandaj është vlerësuar.
Gjergj KOLA