Ervis Kraja është një ndër ish-mbrojtësit më të fortë të Vllaznisë së viteve të fundit. Ditën e sotme, ai feston bashkë me njerëzit e tij të dashur 41-vjetorin e tij të lindjes dhe me kete rast ne emer te redaksise se gazetes “Shkodra Sport” dhe gjithe lexuesve te saj, i urojme edhe 100 vite te tjera te lumtura!
Kraja ka lindur në Shkodër më 26-qershor 1983 dhe do të angazhohej shpejt me sportin, por duke “tradhëtuar” atë të babait të tij, Nefailit, një atlet i njohur i Vllaznisë dhe duke u angazhuar tek futbolli, lojë me të cilën ishin marrë dajat e tij. Kështu, duke qenë pjesë e ekipeve zinxhir të Vllaznisë, do të shpallej edhe kampion me ekipin e të rinjve të U-19, që drejtohej në atë kohë nga trajneri Ismet Hoxha.
Karriera e tij ka vazhduar me ekipin e parë të Vllaznisë, por shumë shpejt do të transferohej tek Besa e Kavajës dhe më pas në Greqi tek Iraklis. Kraja do të vijonte më pas rrugëtimin e tij në Ukrainë, ku do të luante për ekipin Zakarpattia, para se të kthehej në Shqipëri.
Ai do të luante përsëri me Besën, më pas me Skënderbeun, Vllazninë sërish, Teutën dhe Dinamon. Ndërkohë që, do ta mbyllte karrierën tek skuadra e qytetit të tij të lindjes, Vllaznia. Në karrierën me ekipet e Kombëtares, Kraja ka marrë pjesë me Kombëtaren e Shqipërisë, në grup-moshat U-17, U-19 dhe U-21.
Pas lënies së futbollit, ai nis detyrën e trajnerit, teksa i besohet drejtimi i ekipit “Vllaznia B”, që në momentin e krijimit të tij dhe e ka udhëhequr me shumë sukses për disa sezone, duke e ngjitur atë nga Kategoria e Tretë në të Parën. Për një periudhë të shkurtër tre sezone më parë, Krajës do t’i besohej edhe drejtimi i ekipit të parë të Vllaznisë.
Ndërkohë prej pak vitesh, ai bashkë me familjen e tij është duke jetuar në Australi, vend ku po sheh mundësinë e bashkëpunimit me klube të ndryshme.
Gjergj KOLA