Nga Gjergj KOLA

Në historinë 106 vjeçare të Vllaznisë ka shumë figura të cilat kanë lënë gjurmë me kontributin e tyre. Dikush më shumë si futbollist, dikush si trajner, por edhe në të dy aspektet dhe njëri prej tyre është Zyhdi Bakalli. Një personalitet i futbollit shkodran që përpos rolit të futbollistit dhe trajnerit, ka qenë edhe një mësues i shkëlqyer për mbi tre dekada.

Po ndalemi sot tek kjo figurë sepse ajo përkon me 96 vjetorin e lindjes së tij dhe sigurisht që ky është momenti i duhur për ta risjellë në kujtesën e të gjithëve këtë futbollist të shkëlqyer, këtë trajner të mrekullueshëm dhe mësuesin e dashur për të gjithë. Zyhdi Bakallin të gjithë ata që e kanë njohur, e kujtojnë si një burrë serioz, një profesionist i vërtetë që transmetoi gjithmonë tek nxënësit e tij dashurinë për Vllazninë dhe Shkodrën.

Zyhdi Bakalli ka lindur në Shkodër më 5 shkurt 1929. Emri i tij shfaqet tek ekipi i parë i Vllaznisë në vitin 1949 dhe do të luante me të deri në vitin 1953, përkrah futbollistëve të tjerë të atyre viteve si Sheuki Boshnjaku, Kol Gjoni, Beqir Cungu, Ali Kullolli, Qamil Medja, Ali Tepelia, Alush Bakalli, Hysen Hoxha, Musa Alushi, Halit Hoxha, Buto Smaja, Prek Gjeloshi, Lutfi Laçja, Fejzi Rrjolli, Simon Jubani, Daut Shkreli etj dhe duke patur si trajnerë emra të tillë si Muc Koxhja dhe Rifat Rusi.

Paraqitjet e mira me ekipin e Vllaznisë të Zyhdisë, bënë që ai të tërhiqte vëmendjen e trajnerit të kombëtares shqiptare Loro Boriçi i cili do ta grumbullonte në “Kombëtaren B” në vitin 1952. Megjithatë karriera e tij nuk do të vazhdonte gjatë, shkruan shkodrasport.com

Zyhdia do ta linte shpejt futbollin për të ndjekur studimet e larta në Tiranë, ndërkohë që pas kthimit në Shkodër do të niste punën si mësues i edukimit fizik, por edhe si trajner moshash me Vllazninë. Sa i takon punës si mësues, duke filluar që nga Dukagjini, për të vijuar në Gur të Zi, Juban dhe Berdicë ku do të linte gjurmë me punën e tij dhe do të mbahet mend për ngritjen dhe ndërtimet e terreneve sportive, por edhe duke futur dashurinë për sportin dhe kryesisht për futbollin në ato zona.

Më pas do ta vijonte punën në shkollën sportive të futbollit “Xheladin Fishta”, ku Zyhdi Bakalli sëbashku me kolegun e tij Tonin Kraja, kanë qenë të parët që kanë kontribuar në hapjen dhe përgatitjen e futbollistëve të vegjël në këtë shkollë. Dhe, po me të njëjtin pasion vazhdon edhe në shkollën sportive “7 Nëntori” së bashku me kolegun e tij, Renato Radoja me shumë emër në sportin e basketbollit, me të cilin më pas vijojnë të kontribuojnë së bashku edhe në shkollën “Salo Hahili” deri sa dalin në pension.


Karriera si trajner

Pas përfundimit të studimeve të larta, Zyhdia do të niste punën si trajner moshash që rreth viteve 1957-58 dhe futbollistët e parë që do të stërviteshin me të ishin emrat e mëdhenj të futbollit shkodran e shqiptar të viteve më vonë si Ramazan Rragami, Medin Zhega, Sabah Bizi, Paulin Ndoja. Për të vazhduar më vonë me emra të tjerë si Ismet Hoxha, Ahmet Meta, Astrit Hafizi, Ferid Rragami, Seit Çanga, Lutfi Basha etj.

Ai është ndarë nga jeta më 10 gusht 2010 në moshën 81 vjeçare, por ka lënë pas një emër shumë të mirë. Zyhdi Bakalli do të mbetet një figurë shumë e dashur për të gjithë, si futbollist, si trajner dhe si mësues. Dhe në fakt, për të tillë njerëz ka nevojë sot Shkodra e Shqipëria, megjithatë figura të tilla është e vështirë të përsëriten më.(www.shkodrasport.com)