Vllaznia e viteve ’80 ka qenë ‘blind’. Një skuadër e kompletuar në të gjitha repartet dhe ku padiskutim që ishte shumë e vështirë të depërtoje. Një prej lojtarëve të rinj që ia doli të luante me sukses për pak vjet dhe madje edhe të fitonte trofe me të ishte edhe Bep Pali.

Një mbrojtës shtatëlartë i cili luajti pak vite me Vllazninë, por që gjithsesi kujtohet ende edhe sot për kontributin e dhënë për ngjyrat kuqeblu. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me përvjetorin e 64-të të lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Bep Pali ka lindur në Shkodër më 19 mars 1961 dhe në moshë të re zgjedh të merret me futboll. Kuptohet që sporti ishte kryefjalë në familjen “Pali” sepse edhe i vëllai, Nikolini merrej me basketboll e po ashtu edhe e motra- Luçi, ka qenë pjesë e ekipit të atletikës së Vllaznisë dhe për disa vite me rradhë është stërvitur nën drejtimin e trajnerit të njohur Feti Dizdari, shkruan shkodrasport.com

Dhe Bepi kalon nëpër ekipet zinxhir të Vllaznisë, për të mbërritur në vitin 1980 kur emri i tij shfaqet për herë të parë tek ekipi i parë i Vllaznisë teksa do të debutonte me fanellën kuqeblu pikërisht në ndeshjen ndaj Labinotit (1-1). Në këtë sezon do të luante në katër ndeshje me këtë ekip dhe si rrjedhojë do të ishte pjesë e tij si fitues i Kupës së Republikës.

Natyrisht të luaje me Vllazninë në ato vite nuk ishte e lehtë në mbrojtje për shembull luanin emra si Sabah Bizi, Sait Çanga, Lutfi Basha, Fatbardh Jera, Suad Durraj , Hysen Dedja etj dhe Bepi mundohet të marrë edhe përvojën nga to dhe ta demostrojë në fushë sa herë që i jepet mundësia, citon shkodrasport.com

Një sezon më vonë, atë 1981-1982 do të jetë në fushë në 16 ndeshje të kampionatit dhe po ashtu edhe në sezonin 1982-83 luan në 15 ndeshje duke dhënë kontributin e tij në shpalljen kampione të Vllaznisë. Bepin Pali do të ishte pjesë e skuadrës edhe një sezon më pas ku luan në 17 ndeshje dhe më pas vendos të largohet nga sporti.

Tifozët shkodranë e kujtojmë mbrojtësin shtatëlartë Bep Pali sidomos për lojën e fortë dhe sidomos atë në ajër ku ishte dominues ndaj kundërshtarit. Pavarësisht se luajti pak vite, ai ka dhënë kontributin e tij për Vllazninë dhe është fitues i dy trofeve me të. Prej vitesh ndërkohë jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bashkë me familjen e tij. Mbetet në memorien e sportdashësve si pjesë e historisë kuqeblu.(www.shkodrasport.com)