Me Vllazninë në vite kanë luajtur futbollistë me aftësi dhe karakteristika të veçanta që kanë mbetur në mendjen e të gjithëve. Një ndër to që vazhdon të kujtohet ende edhe sot ndonëse ka gati rreth 50 vjet që e ka lënë futbollin, është Halil Puka. Futbollisti që ka luajtur “mbi vijën anësore” të fushës gjithmonë, “sallaksi” që i ka bërë për vete të gjithë.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ka ditëlindjen. Halil Puka mbush 77 vjeç dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetë “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

I takon brezit të viteve ’60-’70-të, sulmues tipik “alo i majtë”, për lojën në krah të Vllaznisë në ato vite. Një e majtë karakteristike, në skuadrën shkodrane spikaste dhe ishte një pikë e rëndësishme e sulmit. Ndonëse luante gjithmonë në formacion, pak gola realizoi, pasi nuk kishte atë detyrë.

Shumë elegant një e majtë simpatike, i shpejtë, e komandonte mirë topin me të majtën, me një pasim të gjatë të saktë, kujtohet si një ndër të majtët e rrallë që ka nxjerrë shkolla e futbollit shkodran.

Ishte futbollist i kohës së Selami Danit, Lek Kocobashit, Esat Rakiqit. R.Rragamit, Zhegës, Bizit, Ndojes, Lekajt etj. Për aq sa luajti edhe sot kur flitet për mbiemrin Puka të vjen në mendje “aloja” i Vllaznisë, gjithmonë i pozicionuar pranë vijës anësore, që e kishte zonën e preferuar të tij. Asnjëherë nuk luajti me ekipin kombëtar.

Edhe pse vitet kaluan e në ato që vijuan erdhën shumë futbollistë të talentuar, Halil Puka do të mbetet unik për klubin e tifozët, sepse pas tij asnjë tjetër tipik i majtë nuk u shfaq më në atë rol te Vllaznia. U largua nga futbolli për të mos u marrë më me të në asnjë drejtim.

Halil Puka ka lindur më 14 qershor 1947 dhe në rininë e tij zgjedh të merret me futboll. Luan me të rinjtë dhe në sezonin 1964-65 shfaqet tek ekipi i parë i Vllaznisë ku luan në disa ndeshje, madje edhe shënon golin e parë me fanellën e kësaj skuadre në ndeshjen ndaj Dinamos më 4 tetor të vitit 1964.

Një sezon më vonë ka më shumë ndeshje në dispozicion dhe po ashtu shënon edhe dy gola të tjerë, pikërisht ndaj Erzenit dhe Skënderbeut. Ashtu siç shënon edhe në finalen e dytë të Kupës së Republikës ndaj Partizanit në Tiranë. Në sezonin 1966-67 është titullar i padiskutueshëm i formacionit shkodran dhe shënon 5 gola për Vllazninë, përkatësisht ndaj Tomorit, Traktorit, Besës dhe dy ndaj Luftëtarit. Në kampionatin e vitit 1968 shënon vetëm një gol, atë ndaj Apolonisë.

Këtu do ta ndërpriste për momentin karrierën e tij me ekipin e qytetit të lindjes sepse shkon ushtar në Gjirokastër, aty ku luan me sukses për tre sezone me rradhë për ekipin e Luftëtarit. Në sezonin 1971-72 ka luajtur me Lokomotivën e Durrësit. Rikthehet tek Vllaznisë në sezonin 1972-73 ku shënon vetëm një gol, atë ndaj Labinotit në “Vojo Kushi”.

Në sezonin 1973-74 jep kontributin e tij për shpalljen kampion të ekipit shkodan ku është pjesë e padiskutueshme e formacionit dhe shënon edhe tre gola, në ndeshjet ndaj Partizanit në javën e parë, ndaj Flamurtarit dhe ndaj Luftëtarit. Tre gola shënon edhe në kampionatin 1974-75 përkatësisht në portat e Traktorit, Labinotit dhe Naftëtarit. Me këtë shifër golash është “i abonuar” edhe në sezonin 1975-76 kur i shënon Naftëtarit, Luftëtarit dhe Partizanit.

Gjithsesi këtë shifër e përmirëson në kampionatin e sezonit 1976-77 kur shënon 5 gola, përkatësisht në portën e Flamurtarit dy herë, Labinotit, Traktorit dhe Dinamos.Ky do të ishte edhe sezoni i fundit i tij sepse vendos të lërë futbollin në moshën 29 vjeçare. Kjo ishte karriera sportive e Halil Pukës, pjestar i një brezi të artë sportistësh të viteve ’70, por që është harruar disi, ndoshta edhe ngaqë prej shumë vitesh jeton larg Shqipërisë.

Megjithatë, karriera dhe emri i tij nuk mund të harrohet lehtë. Të gjithnjë e mbajnë mend lojën e tij në krahun e majtë, depërtimet e tij në anësore, krosimet por edhe golat e shënuar. Ka luajtur në rolin e “alos së majtë” dhe lojtarë me cilësitë e tij në këtë krah, nuk kemi parë gjithë këto vite. Ja pse, Halil Puka mbetet i pakrahasueshëm me askënd.
Gjergj KOLA