Nga Gjergj KOLA
Gjimnastika në Shkodër ka edhe ajo historinë dhe traditën e vet, traditë kjo që ka filluar të rikthehet sërish, falë përpjekjeve që po bëhen për ta ringritur në nivele të larta. Në historinë e këtij sporti në SK Vllaznia ka patur sportistë të cilët kanë dhënë një kontribut të madh për të në vite.
Njëri prej tyre është Benjamin Naku i cili ka spikatur në këtë sport në fundin e viteve ’70 dhe gjatë viteve ’80 duke arritur disa rezultate të larta. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai ka ditëlindjen, feston 61 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!.
I datëlindjes 31 janar 1964, ai garat e para me ekipin e Vllaznisë i ka filluar në vitin 1978. Ndërkohë në vitin 1980 në kampionatin kombëtar për të rinj, ai do të shpallej kampion kombëtar dhe po ashtu edhe fitues i Kupës së Republikës. Vllaznia ndërkohë në atë vit do të renditej në vendin e dytë në klasifikimin ekipor dhe përveç Benjamin Nakut, pjesë e ekipit ishin edhe gjimnastët e tjerë Artur Malile, Leonard Lulaj, Ilir Bilali, Përparim Stefa e Skënder Frexha, shkruan shkodrasport.com
Një vit më vonë, shumica e këtyre sportistëve do të kalonin tek ekipi i të rriturve, duke bërë që edhe rezultatet e tij të vinin në rritje dhe Vllaznia është e dyta në kampionatin kombëtar.Ka një shkëputje nga Vllaznia për shkak të vazhdimit të studimeve të larta duke e vazhduar sportin dhe duke përfaqësuar ekipin e Partizanit.
Benjamin Naku ka vijuar me rezultate të larta sportive edhe në kampionatet e tjera, ashtu si dhe në Spartakiadën Kombëtare të vitit 1984 dhe 1989. Për të gjitha këto arritje, ai është nderuar nga Bashkia Shkodër dhe SK Vllaznia me titullin “Mirënjohje” si një nga gjimnastët më të mirë të shekullit për këtë klub, për kontributin e dhënë në sportin e gjimnastikës, raporton shkodrasport.com
Benjamin Naku sërish është pranë sportit dhe jo vetëm atij të gjimnastikës sepse është pedagog i Fakultetit të Edukimit Fizik e Sporteve pranë Univervitetit “Luigj Gurakuqi” dhe jo vetëm kaq, por ka bërë edhe një studim me temë: “Historia e sportit dhe edukimit fizik në Shkodër në vitet 1912-1939”. Prej disa vitesh njëkohësisht është edhe anëtar i kryesisë së Federatës Shqiptare të Gjimnastikës, duke qenë sërish pranë sportit të tij të preferuar./SHKODRA-SPORT.COM/