Nëse flasim për Vllazninë e viteve ’80, padyshim që nuk mund të anashkalosh një nga emrat e nderuar të atij brezi lojtarësh të shkëlqyer.
E kemi fjalën për Viktor Brizën, mesfushorin e talentuar të Vllaznisë i cili sot ka ditëlindjen, feston 61 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Ka lindur në Shkodër më 04.05.1962. Me futbollin do të lidhej shumë shpejt. Duke vizituar Shtëpinë e Pionerit, do të evidentohej nga i mirënjohuri Ernest Halepjani dhe aty kalon disa vite duke kaluar më pas në ekipet zinxhir të Vllaznisë.
Në sezonin 1980-81 kalon me të rriturit, sezon në të cilin Vllaznia fiton Kupën e Republikës megjithatë Briza është thjesht pjesë e atij ekipi me emra të shquar në rradhët e tij. Një sezon më vonë ndërkohë do të debutonte si titullar me fanellën e Vllaznisë, pikërisht më 25 tetor 1981 në Shkodër në ndeshjen e kampionatit që kuqeblutë fitojnë 2-0 ndaj Naftëtarit, falë golave të shënuar nga Luçi e Vukatana.
Në sezonin 1982-83 luan vetëm 8 ndeshje me Vllazninë, megjithatë jep kontributin e tij që skuadra kuqeblu të shpallet kampione e Shqipërisë. Një sezon më vonë do të ishte ndryshe sepse tashmë ai fiton vendin e titullarit dhe luan 21 nga 26 ndeshjet e kampionatit.
Tashmë emri i Brizës është prezent kudo. Vllaznia e beson lojën e saj në mesfushë pikërisht tek ky lojtar dhe në sezonin 1984-85 luan 22 ndeshje dhe shënon 3 gola, pikërisht ndaj Flamurtarit, Naftëtarit dhe Traktorit.
Në sezonin 1985- 86 luan 21 ndeshje dhe shënon sërish 3 gola, respektivisht në portat e Tomorit, Skënderbeut dhe 17 Nëntorit. Një sezon më vonë, 26 ndeshje në kampionat, të gjitha si titullar dhe 3 gola të shënuar ndaj 17 Nëntorit, Besës dhe Dinamos. Po në sezonin 1986- 87 do të ishte protagonist edhe në fitoren e Kupës së Republikës për Vllazninë.
Madje në finalen e parë ndaj Flamurtarit, atë të luajtur në stadiumin “Vojo Kushi” më 1 qershor të vitit 1987, është njëri nga autorët e tre golave të Vllaznisë në fitoren 3-0 ndaj vlonjatëve (dy të tjerët u shënuan nga Pashaj dhe Rragami), ndërsa dy javë më vonë pas ndeshjes së fituar 3-1 nga Flamurtari, shkodranët fituan trofeun e Kupës dhe Briza padiskutim që ka edhe ai rolin e tij në këtë sezon.
Ndërkohë, sezoni 1987- 88 do të ishte i fundit për Brizën me fanellën e Vllaznisë ai do të luante si titullar në të 36 ndeshjet e kampionatit dhe duke shënuar 4 gola, respektivisht në portat e Dinamos, Apolonisë (2 herë) dhe Labinotit.
Gjatë viteve që ka qenë pjesë e Vllaznisë, Viktor Briza ka luajtur rregullisht me Kombëtaren e të rinjve të Shqipërisë dhe më pas edhe me Kombëtaren Shpresa ndërkohë që ka luajtur edhe në Kupat e Europës dhe në Kupën Ballkanike.
Ndërkohë, në fillim të sezonit 1988- 89, mesfushori shkodran do të linte vllazninë dhe do të kalonte tek Dinamo ngaqë nis të jetojë në Tiranë. Kjo sepse ai do të martohej me volejbollisten e njohur të Dinamos së atyre viteve- Agi Babulin dhe do të nisnin një jetë të re sëbashku në kryeqytet.
Me Dinamon që në sezonin e parë, 1988-89, fiton Kupën e Republikës ndërkohë që të njëjtën gjë e përsërit edhe një sezon më pas, madje Briza ka dalë edhe kampion në sezonin 1989-90 me këtë ekip duke luajtur përkrah emrave të tillë si Strakosha, Vata, Abazi, Demollari, Stafa, Canaj, Ferko etj, nën drejtimin e trajnerit Bejkush Birçe.
Më pas do të merrte pjesë edhe në ndeshjet e Kupës së Kampioneve të Europës duke luajtur me shumë sukses pikërisht në përballjet që ky ekip bëri me Olimpik Marsejë. Me Dinamon do të luante deri në fund të sezonit 1990-91 sespe më pas do të largohej bashkë me familjen e tij për në Greqi, aty ku jeton edhe sot e kësaj dite.
Kjo ishte karriera e Viktor Brizës, një prej mesfushorëve më të mirë të Vllaznisë por edhe të futbollit shqiptar në ato vite. Megjithatë, pavarësisht kësaj karriere, askush nuk është kujtuar për të, për t’i thënë të paktën “faleminderit” për kontributin e dhënë.
Mbase, kjo ka ardhur ngaqë ai prej 32 vitesh jeton bashkë me familjen e tij në Greqi, por gjithsesi nuk është justifikim. Kontributi i gjithësecilit duhet vlerësuar dhe Viktor Briza duhet të marrë atë se çfarë i takon.
Gjergj KOLA