Nga Gjergj KOLA

Për ish- futbollistin e Vllaznisë dhe trajnerin e njohur dita e sotme është e veçantë sepse përkon me ditëlindjen e tij. Armando Cungu mbush 52 vjeç dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Ai ka lindur ne Shkoder me 23 prill 1973 dhe ne keto 52 vite jetë, shumicën e të cilave ai i ka të lidhur ngushtësisht me futbollin. Karriera e tij si lojtar ka nisur te Vllaznia ku ka periudhën më të madhe të aktivizimit, teksa është shpallur edhe kampion me të në vitin 1998.

Më pas kalon në Greqi tek Ethnikos, për t’iu bashkuar më pas edhe Luftëtarit të Gjirokastrës dhe Teutës së Durrësit e për t’u rikthyer sërish tek Vllaznia në vitin 2002. Luan dy vite e pak me të, para se të largohet drejt Flamurtarit të Prishtinës me të cilën do të mbyllte karrierën e tijnë vitin 2005.

Për Cungun nuk do të kishte shumë kohë pushim sepse do të niste menjëherë detyrën e trajnerit. Starton nga Ada të cilën e drejton për pak muaj, e për të punuar tek Vllaznia si zëvendëstrajner për disa kohë, e po ashtu edhe drejtor i Akademisë.

Në vitin 2012 merr drejtimin e Kukësit të sapongjitur në Superligë dhe jo vetëm e shpall nënkampion por shkon me të deri në turin e tretë në Kupat e Europës. Më pas do të drejtonte edhe Laçin me të cilin do të fitonte Kupën e Shqipërisë, Vllazninë, për t’u rikthyer sërish tek Kukësi e Laçi.

Për dy vite të tjera ka kryer detyrën e trajnerit të kombëtares U19 të Shqipërisë, ndërsa më pas është rikthyer të drejtojë sërish ekipin e Laçit në Kategorinë Superiore. Së fundi, ka nisur edhe karrierën akademike teksa punon si pedagog në Universitetin e Sporteve në Tiranë. Ky është profili i Armando Cungut, shkodranit të mirë që sot ka ditëlindjen./www.shkodrasport.com/