Nga Gjergj KOLA

Dita e sotme eshte e veçante per ish-portierin e Vllaznise Ahmet Meta. Ai feston 76 vjetorin e lindjes se tij dhe me kete rast gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite te tjera te lumtura!

Ai ka lindur më 26 nëntor të vitit 1948. Trajneri i parë që e ka përzgjedhur ka qenë Zija Tahiri. Pastaj është rregjistruar në ekipin e futbollit të shtëpisë së pionerit me trajnerin e madh Ernest Halepjani dhe në atë ekip për herë të parë ka parë edhe Medin Zhegën dhe futbollistë të tjerë.

Ka luajtur me ekipin e shtëpisë së pionerit në Spartakiadat që ato vite zhvilloheshin në Durrës. Pas këtyre Spartakiadave, në Shkodër janë krijuar disa ekipe të rinjsh dhe zhvillohet edhe një kupë me pjesmarrjen e tre ekipeve të të rinjve të Shkodrës dhe një të Lezhës.

Ahmet Meta bën pjesë në ekipin e tretë me trajner Gjon Simonin dhe më pas ka kaluar tek ekipi i të rinjve të Vllaznisë. Me ekipin e parë të Vllaznisë është thirrur në moshën 18 vjeçare, saktësisht më 27 nëntor 1966. Ndodhi kështu sepse Paulin Ndoja në atë kohë ikën ushtar dhe Ahmet Meta bëhet portieri rezervë i Zija Danit.

Për dy vite me rradhë, do të ishte portier i dytë derisa Ndoja lirohet nga ushtria e kthehet sërish në Shkodër. Luan me ekipin “Shpresa” të Vllaznisë në sezonin 1968-69 që në atë kohë kishte trajner Rifat Rusin dhe ndihmës Hasan Hasën, por ndërkohë bën stërvitje me ekipin e parë, raporton shkodrasport.com

Në periudhën e mëvonshme kalon tek Besëlidhja sepse në janar të vitit 1970 shkon ushtar në Lezhë. Në atë periudhë Besëlidhja ishte në kategorinë e dytë dhe në fund të atij sezoni fiton të drejtën për të luajtur në kategorinë e parë dhe për t’u ndeshur me Vllazninë, Tiranën, Partizanin, Dinamon etj.

Kthehet nga ushtria dhe i bashkohet sërish ekipit të Vllaznisë. Largimi nga sporti i Paulin Ndojës për arsye biografie, i hap rrugën aktivizimit të Ahmet Metës si titullar me ekipin shkodran. Por që në ndeshjen e parë e pëson keq. Më 16 shtator 1973 gjatë një ndeshje dëmtohet pas një përplasje, bie në tokë dhe thyen kaviljen, shkruan shkodrasport.com

Për pasojë, për 6 muaj është larg ekipit dhe në këtë kohë në portë futet portieri i ri 18 vjeçari Isa Sukaj që luan shumicën e ndeshjeve të kampionatit ndërsa Ahmet Meta luan vetëm në 9 ndeshjet e fundit. Megjithatë të dy ata kanë kontribuar që Vllaznia të shpallej kampione e vendit në sezonin 1973-74.

Ka mbrojtur portën e Vllaznisë në ndeshjen miqësore me ekipin e Kinës që drejtohej në atë kohë nga Loro Boriçi dhe po ashtu edhe ndaj Kombëtares Shpresa të Algjerisë. Në këtë të fundit, Vllaznia ka fituar 1-0 me golin e Ismet Hoxhës. Pas një ndeshje me Besën ku pëson tre gola, drejtuesit e klubit e lënë fillimisht në stol dhe më pas e largojnë përgjithmonë nga futbolli. Një vendim që vjen pikërisht kur ai ishte në një moshë kur kishte ende për të dhënë.

Megjithatë gjithmonë është shprehur se aktivizimi me Vllazninë i ka dhënë një kënaqësi të madhe dhe po ashtu edhe puna me portierë të mirënjohur si Paulin Ndoja dhe Zija Dani prej të cilëve ka përfituar jo pak. Ahmet Meta është pjesë e Vllaznisë deri në sezonin 1975-76 dhe më pas e detyrojnë ta braktistin ëndrrën e tij të madhe.

Pas lënies së sportit nis punë si trajner moshash ndërkohë që vitet e fundit ka punuar pranë shoqatës “The Door” si tek futbolli i moshave ashtu edhe tek ekipi i femrave. Mbetet një emër i nderuar i futbollit shkodran./www.shkodrasport.com/