Nga Gjergj KOLA

Në fundin e viteve ’80 dhe në fillimin e viteve ’90, pjesë e rëndësishme e Vllaznisë ka qenë edhe një tjetër pjestar i familjes Gruda. Pikërisht Bujari që luante në rolin e sulmuesit dhe ndonëse erdhi vonë tek skuadra kuqeblu, la gjurmë duke kontribuar në titullin kampion të vitit 1992. Mund të kishte kontribuar edhe më shumë, por u largua nga Shqipëria dhe gjithçka u ndal aty.

Po ndalemi sot tek ky personazh sepse ai feston pëvjetorin e 61-të të lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Bujar Gruda ka lindur në Shkodër më 6 nëntor të vitit 1963, në fakt me Vllazninë do të fillonte të luante vonë. Duke mos gjetur vend në ekipin e parë të atyre viteve teksa në repartin e sulmit luanin lojtarë të tillë si Luçi, Fakja, Kepaj etj, Bujari do të vijonte të ushtronte pasionin e tij duke luajtur më Minatorin e Rrëshenit për një vit gjatë periudhës kur ishte ushtar dhe më pas, për 5 vjet me Veleçikun në vitet e arta kur ky ekip drejtohej nga i mirënjohuri Sabah Bizi, shkruan shkodrasport.com

Por më pas, trajneri Hafizi e thërret tek Vllaznia dhe ndonëse luan jo shumë vite me të, arrin të lërë gjurmë. Në kampionatin e sezonit 1990-91 luan 24 ndeshje me fanellën kuqeblu dhe shënon 8 gola. Një sezon më vonë, në 28 ndeshje që aktivizohet, shënon 10 gola dhe jep kontributin e tij që skuadra shkodrane të fitojë titullin e shtatë kampion në historinë e saj.

Në sezonin 1992-93 Bujari e nis sërish mirë dhe në 12 ndeshjet që luan deri në fillim të nëntorit, ai do të shënonte 5 gola dhe më pas largohet, ashtu si thuajse e gjithë skuadra teksa pas vizitës në Francë, Vllaznia shpërbëhet. Dhe vëllezërit Gruda, Azizi dhe Bujar do të vendoseshin në Gjermani, aty ku jetojnë edhe sot e kësaj dite.

Dhe prej atij momenti që është larguar e deri më sot, Bujar Grudën nuk e kemi parë asnjëherë në media. Modest si gjithmonë, ka qëndruar larg gazetarëve megjithatë sot jemi munduar t’i shkëpusim pak fjalë në lidhje me periudhën e aktivizimit të tij tek Vllaznia.

“Iku koha jonë. Kuptohet që kanë qenë vite të bukura dhe ruaj shumë kujtime të cilat do mbesin të pashlyeshme për mua. Jam shumë i lumtur që kam qenë pjesë e Vllaznisë dhe kam dhënë një kontribut në arritjen e disa sukseseve. Megjithatë, gjithçka i përket të kaluarës. Ne kemi bërë vetëm detyrën tonë”- thotë shkurtimisht Bujar Gruda në prononcimin e tij për “Shkodra Sport”.

Prej disa vitesh, ish- sulmuesi i njohur i kuqebluve i është përkushtuar të birit- Brajan, i cili siç e kemi bërë tashmë të ditur, është pjesë e kombëtares U21 të Gjermanisë dhe njëkohësisht luan në Bundesligën gjermane me Mainz 05 dhe duket se ka një të ardhme të mirë në futboll. Shembullin që duhet të ndjek e ka në shtëpi. Ne të gjithë shpresojmë dhe urojmë që Brajan të ketë një karrierë edhe më të mirë se Bujari dhe këtë gjë më së shumti e dëshiron ky i fundit./www.shkodrasport.com/