Nga Gjergj KOLA

Në historinë e volejbollit shkodran janë të shumta personazhet që kanë lënë gjurmë me kontributin e dhënë dhe si rrjedhojë emri i tyre është shkruar me gërma të arta. Sot do të ndalemi tek njëri prej volejbollistëve të spikatur të Vllaznisë së viteve ’70- ’80, pikërisht Adrian Shiroka.

Kjo sepse sot ai ka ditëlindjen, feston 71 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj, i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Adrian Shiroka ka lindur në Shkodër më 31 maj 1953 dhe me volejbollin lidhet që në shkollën fillore. Më pas rregjistrohet në ekipet e moshave të Vllaznisë ndërsa në vitin 1971 do të kalonte tek ekipi i të rriturve, duke qenë pjesë e një grupi sportistësh të talentuar të cilët në vitin 1973 u shpallën fitues të Kupës së Republikës. Pozicioni i tij në fushë ishte ai i pasuesit dhe është dallur për inteligjencën e tij.

“Adriani ka qenë një sportist shumë inteligjent, i komunikueshëm dhe një pasues modern. U përshtaste shumë mirë me cilësitë e çdo sportisti dhe jam shumë i bindur se do të kishte qenë një trajner shumë i mirë, paçka se pas lënies së sportit, vendosi që mos e bënte këtë rol”- shprehet një nga kolegët e tij, pikërisht Mark Kroqi.

Ndërsa Besnik Lisha do të shtonte: “Adrian Shiroka për mua personalisht ka qenë shumë i veçantë. Të gjithë volejbollistët e atyre viteve kanë qenë të shkëlqyer, por ai ka qenë vërtetë profesionist. Ne që ishim të rinj, e kemi patur gjithmonë mbështetje. Kurrë nuk e ka çuar zanin për të na kritikuar, por na ndihmonte për t’i korigjuar gabimet. Prandaj, duke futur edhe trajnerët, unë do ta konsideroja Adrianin më të veçantin nga të gjithë, prandaj këtë veçori të tij si njeri, jam munduar ta transmetoj edhe unë më pas tek brezat më të rinj”.

Protagonisti i këtij shkrimi do të ishte pjestar i Vllaznisë edhe në fitimin e Kupës së Republikës të vitit 1985 e më pas, u martua me basketbollisten e njohur Edra Alibegaj dhe u spostua të jetonte në Tiranë. Njëkohësisht i dha edhe fund karrierës së tij sportive, por duke lënë pas një emër jashtëzakonisht të mirë si sportist, por mbi të gjitha si njeri./www.shkodrasport.com/