Nga Gjergj KOLA
Dita e sotme do të jetë e veçantë për një ish- sportist e kampion të atletikës shkodrane dhe asaj shqiptare Sokol Shepeteja. Ai feston 54 vjetorin e lindjes dhe padyshim që ky është një moment i lumtur për të. Por natyrisht edhe për shokët dhe miqtë e tij me të cilët ka bërë sport.
Sokol Shepeteja u lind në Shkodër, më 20 nëntor 1970, i spikatur në vrapimet e shpejtësisë u trajnua fillimisht nga mjeshtri Isak Bala. Talenti që zotëronte në sportin e atletikës i dha mundësinë të arsimohet në Institutin e Kulturës Fizike “Vojo Kushi”, në Tiranë, në vitet 1993-1997.
Garën e parë sportive, vrapim 100 metra, e ka zhvilluar me të rinjtë, në Durrës, më 3 nëntor 1989, renditur në vendin e tretë, me kohën 11.1”, pas dy atletëve shkodranë, Alban Dani e Sokol Hoxha, ndonëse kishte vetëm tre muaj që kishte filluar trajnimin profesional.
Në vitin 1992, trajneri, Xhulio Zefi, e nxiti të konkurrojë edhe në garën 400 metra, ku shënoi rezultatin 50.5”, e u shpall kampion kombëtar, si dhe nënkampion në 100 metra, me rezultatin e ri 10.7” e në 200 metra 22.1”.
Në shtator 1993 konkurroi në aktivitet ndërkombëtar, në Stamboll, ku arriti rezultatin 49.50” në vrapimin 400 metër. I trajnuar nga Besim Qyqja, karriera e tij shënoi ngritje, duke arkivuar 5 tituj kampioni radhazi, kampion i dimrit në 400 metër dhe duke thyer njëkohësisht rekordet e sallave të mbyllura në këtë garë.
Më pas renditet i treti në ballkaniadën e vitit 1994, ndërsa në ballkaniadën e vitit 1996 arriti të thyejë dy rekorde brenda kohës 50 minuta, përkatësisht në 400 metër, me kohën 48.85” dhe në 200 metër me kohën 22”. Në verën e vitit 1995 mori pjesë në universiadën e organizuar në Fukuoka, Japoni, e arriti dy rezultate të mira, përkatësisht 48.84” në vrapim 400 metër dhe 21.90” në 200 metër.
Në kampionatin kombëtar të vitit 1996, përmirësoi rezultatet, përkatësisht në 100 metër shënoi kohën 10.7”, ndërsa në 200 metër 22.1”. Krahas atletikës ka ushtruar edhe sporte të tjera si: volejboll, pingpong, futboll, çiklizëm.
Po kështu ka qenë amator edhe në balet, në shtëpinë e pionierëve në Shkodër, madje edhe me estradën e qytetit të vendlindjes, duke bashkëpunuar me aktorin e madh, humoristin shkodran, të shquarin e skenës shqiptare Gjosho Vasia.
U pranua polic në repartin special “RENEA” në tetor 1997 dhe u largua prej andej, me dëshirën e tij, pasngjarjeve të Lazaratit, në datat 2-3 shtator 1998, kur u bllokuan, grabiten e u shkatërruan 22 automjete si dhe u plagosen disa punonjës policie, prej tyre edhe 5 specialë.
Është plagosur në ngjarjet e Shkodrës (21 janar 1998), kur u mor peng prefekti Gëzim Podgorica dhe vendlindja e tij u përfshi na kaos. Mjeshtri i atletikës shqiptare, Isa Tare, e ka ndihmuar të rehabilitohet në palestrën e klubit sportiv “Partizani”. Pas largimit nga forcat speciale ka emigruar në Itali, ku vijon veprimtaritë sportive në salla të mbyllura. Profesioni “trajner personal” apo “instruktor” e ka bërë shumë të kërkuar në publik.
Ndëkohë e kuadrin e nderimeve me rastin e 100 vjetorit te Sportklub Vllaznia, Sokol Shepeteja eshte vleresuar nga ky i fundit dhe Bashkia Shkoder me nje Mirenjohje duke u renditur ne mes me te mireve te atletikes se Vllaznise ne historine e saj./www.shkodrasport.com/