Sporti i notit në Shkodër ka shumë traditë dhe kjo vjen nga fakti që duke qenë i rrethuar nga ujërat nuk kishte si të ndodhte ndryshe që të rinjtë e të rejat të merreshin me këtë sport. Si rrjedhojë, ky qytet dhe Vllaznia kanë nxjerrë në vite shumë kampionë e rekormdenë të mëdhenj.

Madje, janë edhe disa familje të cilat kanë disa pjestarë të tyre pjesë e historisë së këtij sporti dhe një familje e tillë është edhe ajo “Muriqi”. Sot do të ndalemi tek njëri prej pjestarëve të saj, pikërisht Mehdia, ngaqë ka ditëlindjen, feston 64 vjetorin e lindjes. Për këtë arsye, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura këtij kampioni!

Mehdi Muriqi ka lindur më 18 qershor 1960 dhe do të fillonte që në moshë të vogël të angazhohej me notin. Spikat menjëherë për talentin e tij teksa është kampion dhe rekordmen për të rinjtë në garën e 200 metrave bretkosë. Vijon sukseset edhe me ekipin e të rriturve ku sërish do të jetë kampion i Shqipërisë.

Kulmin e tij si sportist Mehdi Muriqi do ta kishte tek sporti i vaterpolit ku bashkë me shokët e tjerë të ekipit do ta shpallnin Vllazninë pesë vite rresh kampione të Shqipërisë në vitet 1987-1991. Kontributi i tij tek këto suksese është i madh dhe jo më kot ka marrë edhe titullin “Mjeshtër Sporti”.

Ndërkohë gjatë vitit të kaluar, me rastin e festimeve të 100 vjetorit të SK Vllaznia, Bashkia Shkodër i akordoi titullin “Mirënjohje” duke e vlerësuar si një nga “notarët e shekullit të Sportklub Vllaznia”. Medaljet e shumta te fituara, kupat e diplomat qe kane mbushur shtepine e tij jane treguesi me i mire i faktit se Mehdi Muriqi e ka merituar kete vleresim.
Gjergj KOLA