Historia e sportit para viteve ’90 ka patur brenda jo vetem arritje e suksese, por edhe nje problematike te madhe me shume prej sportisteve “me biografi te keqe”. Rasti i Paulin Ndojes apo shume te tjereve qe u detyruan te lene sportin pikerisht per kete arsye, ka qene vertete nje fatkeqesi e madhe.
Nje tjeter rast padyshim qe eshte edhe ai i ish- basketbollistit te talentuar Filip Guraziu. Babai i tij, Pjetri, ishte pushkatuar bashku me 21 intelektualë të tjerë, pa asnjë lloj faji, do të pushkatohet pa gjyq ne vitin 1951.
Fillimisht iu dha mundesia te vazhdonte sportin dhe madje te kryente edhe Universitetin e Tiranes ne degen matematike, e po ashtu te shkelqente edhe si basketbollist duke luajtur dhe shpallur kampion me 17 Nentorin, Vllaznise, por duke qene edhe pjese e kombetares shqiptare. Por vetem deri ne moshen 23 vjeçare sepse me pas do ta perjashtonin.
Po ndalemi sot tek historia e Filip Guraziut ngaqe feston 81 vjetorin e lindjes se tij (datelindja eshte 18 qershor 1943) dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite te tjera te lumtura atij!
Filip Guraziu ka lindur në Shkodër më 18 qershor 1943 dhe përpos funksioneve të tjera, përfshi këtu edhe atë të kryetarit të Bashkisë Shkodër, shumëkush e kujton si basketbollistin e talentuar.
Pikërisht për shkak të karrierës së tij sportive, Presidenti i Republikës Ilir Meta e ka nderuar atë në shkurt të vitit 2021 me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, por Filip Guraziu gëzon edhe shumë tituj të tjerë sportivë që ka marrë në vite.
Per te kuptuar me shume historine e ketij personazhi, qe me vone u be edhe kryetar i Bashkise Shkoder, po ju risjellim me poshte nje shkrim te bere nga i mirenjohuri Besnik Dizdari vite me pare:
“Për titullin e Shkodrës së basketbollit – Kampione e Shqipërisë, do të duhej të prisnim vitin 1967… Ajo është një histori sa e bukur, por po aq edhe “kapricioze”. E me rastin e Filip Guraziut, ajo shkon përtej dramatikes!… Vllaznia e basketbollit 1967 do të ishte një kampione shkodrane, e cila si në asnjë sport tjetër, Shkodrës do t’i mbërrinte prej basketbollit të kryeqytetit.
E gjitha kjo mund të themi se është rrëmbimi i parë dhe i vetëm sportiv i Shkodrës ndaj Tiranës, në një kohë që kryeqyteti ynë “pa mëshirë” rrëmbente për vit talentet e Shkodrës, madje thuajse në të gjitha llojet e sporteve. Kjo histori basketbolli është një histori që ka një prolog. Pesëshja për ne mitike, e mësipërme, në fillimet viteve ’60 do të jetë në largim e sipër. Por ndikimi i saj kishte mëkuar brezin tjetër.
Emrat që vijnë janë edhe ata thuajse të gjithë kombëtaras të Shqipërisë. Valter Kalaja – i pari që rridhte falë asaj pesëshe. Do të lidhej me shokun tim të fëmijërisë, të gjimnazit e përtej, me Petrit Osmanin pra, i cili do të bëhej trajneri më fitimtar i Vllaznisë – vëlla i Skënderit të madh. Dhe me radhë Zyhdi Çoba, Asllan Gjyrezi, Angjelin Shiroka, Nikolin Pali, Nikolin Kovaçi…
Filip Guraziu i Kombëtares së Shqipërisë
Do të ishin e ardhme e siguruar. Ishin shokët tonë, të brezit tim – çka për ta, ne përbënim “tifozët” më besnikë. E unë, që tashmâ e kisha lënë Shkodrën, natyrisht si sa e sa të tjerë, në Tiranën e Stadiumit zâmadh “Studenti”, do të kënaqesha me bashkëqytetarët e mi, Renato Radojën, Bujar Golemin, Filip Guraziun apo dhe me Vladimir Gjurbën, që i kishte “blerë” 17 Nëntori i Tiranës së sendërtuar prej mjeshtrit të mjeshtrave Feti Borova.
Të dukej se basketbolli shqiptar kishte dy Shkodra: një në Shkodër e një në Tiranë. Unikale për historinë e basketbollit shqiptar, basketboll që në modernen e tij niste me një Fatmir Mekë – më moderni prej të gjithëve e që do të mbërrinte deri te një Vaso Shaka, te një Bujar Shehu e një Kosta Papa të prirë prej të fundit të Mohikanëve, kapiteni i paharrueshëm Dhimitër Papa – po ashtu mik i madh i imi. Këtij kryeqyteti të jashtëzakonshëm basketbollistik, pak më vonë vulën do t’ia vinte i madhi i të mëdhenjve me emrin Agim Fagu. Por jemi në vitin 1967 dhe vitet e mëpasme të fuqishme të një brezi të jashtëzakonshëm, ende nuk kishin mbërritur.
Vitet ’60 po merrnin udhë vrullshëm, megjithatë. Kur papritmas, prapë kryeqyteti – shkollë më vete e basketbollit shqiptar – që nuk kënaqej me kaq. Sa në futboll, po aq dhe në basketboll. Edhe këtu “brutaliteti” i Partizanit, i cili rrëmben Luan Shatkun e Petrit Osmanin, me të cilët më 1964 shpallet kampion i Shqipërisë. Kur sapo i teket edhe Dinamos të bëjë basketboll duke pasë pjesë të saj shkodranin tjetër të përvojës së madhe të Vllaznisë, Skënder Osmanin, tashmâ veteran, dhe i cili i jep kësaj Dinamoje të re, atë që i mungonte: pjekurinë.
Papritmas edhe Shkodra kërkon të sajtë. Kthehet ing. Bujar Golemi i 17 Nëntorit, i cili përveçse si lojtar, do të jetë trajneri historik i Vllaznisë. Dhe do t’i rirrëmbehet Partizanit “mbreti” i basketbollit, Renato Radoja, por dhe befasia e befasive: protagonisti ynë, Filip Guraziu. Kthimi i kësaj tresheje kampione nëntorase: Golemi – Radoja – Guraziu në Shkodër, është një nga çuditë më të vetme dhe më befasuese në sportin shqiptar madje. Kështu, kur askush nuk e mendonte, Vllaznia po kthehej nga e rrëmbyer në rrëmbyese. Më 7 mars 1965, në Tiranë duket se zhvillohet ndeshja më alarmuese se kurrnjiherë: Vllaznia fiton 79-75 me Partizanin. Vështroni pesëshet se cilat janë:
Më 7 mars 1965, në Tiranë duket se zhvillohet ndeshja më alarmuese se kurrnjiherë: Vllaznia fiton 79-75 me Partizanin.
Vështroni pesëshet se cilat janë:
PARTIZANI: M.Përmeti, L.Shatku, P.Osmani, K.Papa, J.Baho.
VLLAZNIA: B.Golemi, R.Radoja, F.Guraziu, A.Gjyrezi, N.Pali.
Nga 10 lojtarë plot 7 janë shkodranë, sepse janë të tillë edhe dy prej tyre të Partizanit: “ushtarët e popullit” Luan Shatku e Petrit Osmani. E, Vllaznia e ka skuadrën për titull më pranë se kurrnjiherë. Ndonëse i mungojnë pra, dy “partizanasit” e saj, Shatku e P.Osmani. E edhe pa to titulli është tejet afër. Dramaticiteti i kampionatit mbërrin kulmin e tij. me 17 Nëntorin kryesues. Mirëpo, më 6 qershor Vllaznia fiton ndaj kryesueses në Shkodër 58-56. Pesëshet janë këto:
VLLAZNIA: Radoja, Pali, Gjurba, Guraziu, Gjyrezi.
17 NENTORI: Shaka, Bumçi, Shehu, Kasmi, Topalli
Vllaznia 33 pikë, 17 Nëntori 33, Partizani 31, Dinamo 30. Kishte vite që në basketbollin shqiptar nuk qe parë kjo baraspeshë. Skuadrat e Shkodrës dhe të Tiranës barazohen në 33 pikë secila, kryesuar prej Vllaznisë falë një koshaverazhi më të mirë. Nuk ka rrugë tjetër Federata e Shqiptare e Basketbollit.
Dhe vendos: ndeshje e tretë për titullin. Për fatin e keq me një anësi të papame. Më 1957, Vllaznia dhe 17 Nëntori kishin përfunduar po kështu, me pikë të barabarta, por ndeshja për titullin qe zhvilluar në qytet asnjanës, në Durrës, në parkun sportiv “Nako Spiru”. Kishte fituar 17 Nëntori. Por tash, Federata bën një nga padrejtësitë më të mëdha që njihte sporti shqiptar: vendos njëanshmërisht që finalja të zhvillohej në Tiranë.
Ngjarja ka vend më 13 qershor 1965 dhe 17 Nëntori, që dihej, kishte një skuadër mjaft të denjë, në fushën e vet, para publikut të vet, nuk e ka të vështirë të fitojë ndeshjen 74-63 dhe titullin e Kampiones së Shqipërisë. Titulli shkodran do të vononte ende…
Aventura e këtij titulli do të niste vetëm mbas një viti, më 1966-ën. Ndërkaq, Shatku e P.Osmani të Partizanit priten të kthehen. E me ta edhe Çoba i Universitetit. Gjithçka nis më 25 shtator 1966. Fitoret shkodrane nuk ndalin: Vllaznia – Luftëtari 84-42, Dajti – Vllaznia 47- 106, Vllaznia – Universiteti 67-57, Dinamo – Vllaznia 61-64, Labinoti – Vllaznia 41-64, Mbi të gjitha Vllaznia – 17 Nëntori 76-59! Pesëshja shkodrane është e rrallë: Radoja, Shatku, Lahi, P.Osmani, Guraziu. Të gjithë shkodranë, por me një ndryshim: Tre prej tyre të tre të Kombëtares së Shqipërisë, Renato Radoja, Agim Lahi dhe Filip Guraziu ishin rritur, formuar dhe ishin bërë me kohë Kampionë të Shqipërisë nën fanellën 17 Nëntorit.
Kurrë nuk do të ndodhte në historinë e sportit të Shkodrës, që një Vllazni e tij të fitonte një titull të Kampionit, duke pasur 60 për qind të një formacioni të saj me sportistë të ardhur prej një klubi tjetër! Si ia kishte arritur, pra, Shkodra – e nënshtruara e hershme e trysnisë rrëmbyese kryeqytetase dhe ministrore në të gjitha fushat e jetës – t’i merrte për vete këta tre yje? Treshen e Tiranës, këtë Radoja – Guraziu – Lahi? Ishte një forcë befasuese, të cilën sporti shkodran me futbollin do ta përfitonte vetëm në fillim të viteve ’70 me rikthimet e talenteve të tij të shfrytëzuar prej kryeqytetit. Rragami, Zhega, Bizi…
U përmend një emër: Prof. Hamit Beqja – pionier i basketbollit të Shkodër, por tashmë me një funksion të rëndësishëm në Komitetin Qendror të PPSH. Pedagog liberal, sportdashës i spikatun, asokohe edhe një ndër krerët e Federatës së Basketbollit – i cili me dinakëri do të shfrytëzonte sa popullaritetin, po aq edhe funksionin. Kështu, përmes “mbrapaskenave” tejet tërheqëse që ia gatuante mendja e një njeriu me emrin Rifat Uruçi, gazetar sportiv ndër më të shquarit në Shqipëri, por dhe punonjës i klubit Vllaznia, komitetqendrorasi i mençëm, me sa dukej, kishte dy vjet që ëndërronte të përgatiste rikthime për Vllazninë.
Ndërkaq, papritmas, më 13 nëntor 1966, Partizani fiton 53-47 në Shkodër, teksa një skuadër tejet e bukur e Durrësit, Lokomotiva e treshes Hercek – Dollani – Profkola kryeson kampionatin së bashku me Partizanin dhe Vllazninë në vendin e tretë me 1 pikë më pak. Dhe mû në këtë çast nis një dramë tjetër. Tash më shumë se sportive. Është drama e një politike të pamëshirshme.
Siç do të ishte për Shqipërinë vetë viti fatal 1967… Krejt papritmas, kur nis periudha e dytë e Kampionatit, te skuadra shkodrane mungon emri i një prej protagonistëve më të parë: Filip Guraziu! Ky është çasti po fatal kur një regjim i pamëshirshëm rifillon hakmarrjen kriminale duke e larguar atë për shkak të “biografisë” ngaqë ai ishte djali i Pjetër Guraziut, një martiri të këtij vendi.
Ja si e përshkruante vetë Filipi në një intervistë të dhEnë vite më vonë këtë moment: “… Ishte një ditë stërvitje, mbas dreke. Shokët i gjeta të grumbulluar së bashku me Esatin, trajnerin tonë. Të gjithë pa humor. Diçka duhej të kishte ndodhur, por nuk më shkonte mendja te ndonjë fshesë. Kur dëgjova fjalët e mësuesit tim, Esat Haxhi, që nuk fliste, por belbëzonte, e kuptova se isha i dëbuar…”. Drejt e në Dukagjin.
“Streha e intelektualëve të dëbuar. Mësues, mjekë, ekonomistë. Pra dhe basketbollisti Filip Guraziu, duhej të shtegtonte Alpet për të provuar izolimin shpirtëror, ndrydhjen e shpirtit e të talentit”. Në të vërtetë, ai ishte kampioni Filip Guraziu. Kishte luajtur gjithë periudhën e parë të Kampionatit. Përmes shkrimit të Namik Mehmetit më flet Filip Guraziu: “..Zbrita nga Dukagjini atë ditë të shpalljes së Vllaznisë kampione. Një atmosferë elektrizuese në Këndin ‘Spartak’. Dorëzohej Kupa dhe medaljet. Ndenja pranë hekurave, duke provuar kënaqësi dhe dhimbje bashkë. Kisha kontribuar një fazë për këtë fitore. Emri im nuk u përmend.
Lëviza këmbët si pa komandim dhe vetëm disa zëra më përmendën kur thërrisnin: ‘Po Filip Guraziun e keni harruar!’”. Dhimbja e trajnerit fisnik të kësaj Vllaznie – kampione, themelues i pazëvendësueshëm për basketbollin e Shkodrës e të Shqipërisë, të paharrueshmit Esat Haxhi, ishte më prekësja. Këto kanë ndodhë në Shqipëri. Këputeshin në mes ëndrrat e bukura e të merituara.. Në të vërtetë jo ëndrrat, por prishej jeta e një sportisti të madh. Pa pikë mëshire shteti përjashtonte nga sporti Filip Guraziun, njeriun i cili qysh fëmijë kishte shpërthyer si një nga talentet më të mëdha të basketbollit shqiptar.
Me Tiranën kampion i gjithë shkollave të mesme të Shqipërisë, kombëtaras i padiskutueshëm i Shqipërisë së 22-vjeçarëve, tri herë radhazi Kampion i Shqipërisë (1961, 1962, 1963) me 17 Nëntorin e Tiranës – skuadra që revolucionarizoi basketbollin shqiptar, 19 vjeç (1962) Mjeshtër Sporti – rast krejt i rrallë në sportet kolektive në Shqipëri, po 19 vjeç lojtar i Kombëtares – pjesë e pesëshes së Ballkaniadës 1965 kur së bashku me shokët fiton Anketën e mirënjohur të më të mirëve të Vitit të gazetës “Sporti popullor”.
Dhe të gjitha këto suksese të pandalshme të arritura vetëm deri në këtë vit 1966, kur ai ishte vetëm 23 vjeç! Çka absolutisht duhen quajtur krejt të rralla në sportin shqiptar për një basketbollist. Filip Guraziun e ndiqte mbas tragjedia e të atit, të cilin sot, mbas gati një shekulli, ne e zbulojnë dhe e afirmojmë, përveç të tjerave, edhe si një pionier i sportit shqiptar në dhjetëvjetëshat e parë të shekullit XX. Madje, siç do ta tregojmë në mbas, në rrjedhën e këtij tregimi, Pjetër Guraziu është një ndër themeluesit drejtues të sportit shqiptar në tërësi…
5. Rrokullisja e viteve të mëpastajmë është vërtet plot trille, sa shpresëdhënëse, por në fund të fundit krejt të pamëshirshëm. Papritmas, mbas 18 muajve dukagjinas, Filip Guraziun e kthejnë në Shkodër, në profesionin e tij të më- suesit të matematikës dhe në rolin e tij të basketbollistit të pazëvendësueshëm.
Fizik thuajse si të një atleti, shtatlartë, sa shpërthyes i një dinamike e kërcyeshmërie, po aq plot larmi gjuajtjeje nga afër e nga larg, nën tabelë e në pamjen e kthjelltë të aksioneve rreth saj, basketbollisti Filip Guraziu qe prototipi i një arsenali modern të basketbollistit. Ndërsa në atë që quhet shpirti i garës apo guximi i pamatë sportiv i një vullneti të papërkulur, ai nuk kishte rival. A thua, këto cilësi e detyronin regjimin që ta rikthente? Është një rikthim i një vullneti të pakrahasueshëm. 18 muaj në malet e Dukagjinit pa luajtur basketboll dhe një rifillim i bujshëm, për të riushtruar sportin thuajse si një triumfator. Duket se mallkimi i diktaturës mbetet mbas tashmâ…. …
Por nuk është kështu. Shumë shpejt historia përsëritet. Jo vetëm ia ndalin përsëri basketbollin, por shpejt ia heqin edhe të drejtën e profesionit të mësuesit të matematikës. Drejt e punëtor në Kombinatin e drurit në Shkodër! Krejt në kundërshtim edhe me ligjet e asaj kohe. Dhe nëse më mbas synon të punojë të paktën si një llogaritar i thjeshtë, ndonëse është diplomant universitar i matematikës, i duhet t’i nënshtrohet provimit të shkollës ekonomike të mbrëmjes për të zënë një vend si llogaritar.
Vonë, tepër vonë, Filip Guraziu do ta kishte rilindjen e tij të dytë të madhe vetëm në demokraci, kur qytetarët e tij e zgjedhin deri dhe kryetar i Bashkisë së Shkodrës (1992-1996). Këtu e deri më sot, si thuash, është jeta e dytë e Filip Guraziut, i cili ka një veprimtari hapësinore të pamatë. Kryetar i Bashkisë, drejtor i Shkollës së mesme “Jordan Misja”, drejtues i Shoqatës së miqësisë Itali – Shqipëri me qendër në Firence e Shkodër, president i klubit “Vllaznia”, “Nderi i sportit shqiptar”, anëtar i Këshillit Bashkiak Shkodër e nënkryetar i Shoqatës së të përndjekurve me qendër në Shkodër.
Dhe pa harruar veprimtaritë në lamën e kulturës, të mbrojtjes ekologjike, të turizmit, të artit po si autor botimesh. Një pleksje tejet e shtrirë në larminë e saj gjeografike: Firence, Venecie, Gjakovë, Shkodër, Laç, Adriatik, Alpe, Shqipëri, Francë, Austri, SHBA. E deri te Qytetar nderi i qytetit Linkoln Nebraska të SHBA. Çka megjithatë, nuk shlyejnë një histori dramatike. Si gjithnjë shkaku i gjithë asaj drame të pjesës së parë të jetës së tij, me ngritje-uljet e saj, me pamëshirën e saj, me fundosjen dhe ngritjen e saj të përkohshme, për basketbollistin e madh shqiptar Filip Guraziu, kishin vetëm një shkak: babanë”.
Gjergj KOLA