Nëse flasim e shkruajmë për historinë e basketbollit shkodran dhe shqiptar, një nga emrat që kurrsesi nuk mund të anashkalojmë është edhe ai i Nikolin Palit. Një emër i cili ka lënë gjurmë me karrierën e tij sportive, paçka se ajo u ndërpre në mes për arsye biografie. Po ndalemi sot tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me 77 vjetorin e lindjes së tij dhe me këtë rast, në emër të redaksisë së gazetës “Shkodra Sport” dhe gjithë lexuesve të saj i urojmë edhe 100 vite të tjera të lumtura!

Nikolin Pali ka lindur në Shkodër më 1 janar 1947 dhe në moshë të re nis sportin e basketbollit. Kuptohet që nisur edhe nga shtatëlartësia e tij e madhe, spikat menjëherë dhe nën drejtimin e trajnerit Muhamet Sokoli me ekipin e të rinjve do të tregonte se ishte një element me shumë të ardhme për basketbollin shkodran dhe atë shqiptar.

Duke spikatur me ekipin e të rinjve, Nikolini fiton vëmendjen e trajnerit Esat Haxhi i cili e afron tek ekipi i të rriturve dhe ku do të luante shumë shpejt krahas emrave të tillë si Renato Radoja, Filip Guraziu, Luan Shatku, Petrit Osmani, Agim Lahi, Asllan Gjyrezi, Zyhdi Çoba, Nikolin Kovaçi, Vladimir Gjurba, Flamur Selmani, Roland Koka dhe të gjithë sëbashku do ta shpallnin Vllazninë kampione në sezonin 1967-68.

Me Vllazninë po ashtu do të fitonte edhe dy Kupa të Shqipërisë dhe pas këtyre sukseses, kuptohet që Partizani nuk mund t’ia lejonte vetes që një lojtar të tillë të talentuar ta linte të luante sërish në Shkodër dhe prandaj e vesh ushtar dhe më pas e bën pjesë të tij. Në rradhët e kësaj skuadre, Nikolin Pali duke luajtur përkrah emrave të tillë si Agim Fagu etj, do të tregonte një nivel të lartë duke u shndërruar në një lojtar me peshë të saj.

Do të kontribuonte edhe në fitimin e disa trofeve me Partizanin, ashtu siç do të luante me sukses edhe në Kupat e Europës ku vetë ai do të veçonte ndeshjen ndaj ekipit italian Oransoda e cila u mbyll në barazim 73-73 dhe krahas Agim Fagut, do të spikaste për lojën e shkëlqyer edhe Nikolin Pali. Lojtari shkodran 1.96 metra i gjatë ishte i pakalueshëm në luftën në tabelë. Gjatë këtyre vite, ai ka qenë një pjesë e rëndësishme edhe e kombëtares shqiptare.

Por pikërisht në kulmin e karrierës së tij, vetëm 27 vjeç e pak muaj, e përjashtojnë nga basketbolli. Kjo do të ndodhte menjëherë pas arrestimit të Petrit Dumes dhe shkarkimit të tij nga posti i Zëvendësministrit të Mbrojtjes dhe Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Ky i fundit ka qenë njeriu i cili ndonëse e dinte që Nikolin Pali kishte një xhaxha të arratisur dhe të pushkatuar, e ka lejuar të vazhdonte basketbollin sepse ishte një lojtar shumë i rëndësishëm për Partizanin, skuadrën e tij të preferuar.

Dhe pikërisht përpara një ndeshje Partizani- 17 Nëntori vjen vendimi për përjashtimin e tij nga sporti. Me dhimbje të madhe, Nikolini detyrohet të braktisë sportin e tij të preferuar dhe t’ia dhurojë fanellën me numrin 12 me të cilën ai luante, Robert Kuqos. Këtu mori fund karriera e tij.

Por gjithsesi ka lënë një emër shumë të mirë në këtë sport dhe jo më kot vlerësohet edhe sot e kësaj dite. Për kontributin e tij në sportin e basketbollit, është nderuar në maj të vitit 2022 nga ish- Presidenti Ilir Meta me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”.

Nikolini në fakt nuk ka qenë i vetmi pjestar i familjes “Pali” që është marrë me sport. Përpos tij, ka qenë edhe e motra- Luçi e cila ka qenë pjesë e ekipit të atletikës së Vllaznisë dhe për disa vite me rradhë është stërvitur nën drejtimin e trajnerit të njohur Feti Dizdari. Po ashtu edhe i vëllai- Bepi i cili madje u bë edhe pjestar i ekipit të parë të Vllaznisë në fillimin e viteve ’80./www.shkodrasport.com/