Nëse sporti i xhudos sot në Shqipëri ka avancuar jo pak dhe tashmë kemi edhe medalistë europianë e pjesmarrëse në Lojëra Olimpike, një meritë jashtëzakonisht të madhe për këtë ka një nga themeluesit e këtij sporti në vendin tonë, Anton Shkoza.

U ndalëm sot tek ky mjeshtër ngaqë feston 58 vjetorin e lindjes dhe padiskutim që ai do ta festojë ashtu si duhet jo vetëm me familjen e tij, por edhe me njerëzit e tij të dashur, me sportistët e jo vetëm.

Anton Shkoza është një emblemë e sportit. Ai ka lindur më 1 korrik 1966 dhe rininë e tij ia kushtoi sportit duke qenë ndër inisiatorët e përhapjes së këtij sporti në vendin tonë. Njëkohësisht është për disa vite kampion i padiskutueshëm e fitues medaljesh në arenën ndërkombëtare.

Medalist në kampionatin botëror të xhudos për policinë zhvilluar në Kuvait ndërkohë që pas një dëmtimi të rëndë në vitin 1999 u detyrua të ndërpresë karrierën e tij sportive por nuk do të largohej për asnjë moment nga ky sport. Ndonëse tetraplegjik, ai themeloi Akademinë “Albania Judo Kodokan”, është trajner i qindra fëmijëve, trajner i ekipit të Vllaznisë disa herë kampion i vendit, autor i disa librave për sportin e xhudos etj.

Ndoshta sot nuk është dita për t’i shkruar të gjitha ato çfarë ka bërë dhe vazhdon të bëjë ky njeri. Sot është dita që ai të festojë e ne natyrisht ta urojmë: Edhe 100 vite të tjera të lumtura Mjeshtri i Madh Anton Shkoza!
Gjergj KOLA