Nga Gjergj KOLA
Karriera e tij ka qenë e veçantë. E mbushur me ndeshje e suksese jo të pakta. Më së shumti, ka marrë duartrokitjet e publikut shkodran, aq sa edhe sot ai konsiderohet futbollisti më popullor në gjithë historinë e futbollit shkodran. Por karriera e tij do kishte qenë shumë më e ndritur nëse “kleçkat” e biografisë së bashkëshortes së tij, do ta ndiqnin gjatë gjithë jetës së tij.
E kemi fjalën për Frederik (në dokumenta në fakt emri i tij ësht Enrik) Çapakikun. Ish- mbrojtësin e shquar të Vllaznisë së viteve ’60. Po ndalemi sot tek ky personazh i njohur sepse pikërisht sot ai ka ditëlindjen. Feston 83 vjetorin e lindjes dhe me këtë rast, edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Çapaliku i madh prej vitesh jeton në Itali pranë familjarëve të tij dhe kjo ndoshta në njëfarë mënyre e ka lënë atë në harresë, por karriera e tij nuk mund të harrohet dhe anashakohet kurrsesi.
Ai ka lindur në Shkodër më 29 janar 1941 dhe ka luajtur me Vllazninë nga viti 1959 deri në vitin 1972 kur u detyrua ta linte sportin. Ka ndodhur në marsin e vitit 1972. Vllaznia luante kundër Dinamos dhe sulmuesi I saj Taip Çutra, në përpjekje për ta shmangur, bën një finte me trup por pa arritur dot ta kalojë dhe për rrjedhojë bie mbi këmbën e Çapalikut, duke i plasur kockën e këmbës së djathtë.
Me atë dëmtim nuk bëri më hajër. Luajti edhe një apo dy ndeshje mbrapa por nuk mund të vazhdonte më. E la futbollin dhe në prill të atij viti iu zhvillua ceremoninë e lënies së futbollit njëkohësisht edhe me Selami Danin.
Ai gjithnjë është dalluar për forcë fizike. Stërvitesj rregullisht dhe me formën që kishte, mund të vazhdonte edhe më tej. Por tek Vllaznia në ato vite u bë e modës që kur mbushje 30 vjeç, duhej të lije futbollin. Prandaj dhe nuk ka tentuar më duke e mbyllur këtu.
Gjatë 13 viteve të karrierës së tij, ai asnjëherë nuk pati shansin të luajë një ndeshje jashtë vendit, çka ishte edhe ëndërra e çdo futbollisti në atë kohë, e kjo ndodhi për arsye biografie.
Në vitet 1966-68 ishte kapiten I skuadrës dhe Partia ndërhyri edhe këtu duke i hequr shiritin e kapitenit dhe ia dha Kol Gjonit. Kjo ndodhi pikërisht para marrjes pjesë në Kupën Ballkanike me ekipin e Vllaznisë. Kuptohet, Partia nuk mund të lejonte që një njeri me biografi të keqe, të ishte edhe kapiten skuadre, citon shkodrasport.com
Gjatë gjithë jetës së tij ka luajtur me fanellën me numër 2. Ky numër për gjithë ato vite, identifikohej me emrin e Frederik Çapalikut. Aktivizimi I tij në krahun e djathtë të mbrojtjes së Vllaznisë ishte një shqetësim I madh për të gjithë kundërshtarët.
2-shi I shkodranëve nuk toleronte kollaj në fushë. Për rrjedhojë, shumë herë trajnerët e ekipeve kundërshtare, udhëzimin e parë që u jepnin sulmuesve të tyre ishte për të ndryshuar krahun në aksionet e tyre. Duhej sulmuar më shumë në të majtin sepse në atë tjetrin ishte Çapaliku, një futbollist me të cilin kishe fjalë pak.
E ka nisur futbollin herët në Shkodër dhe shumë shpejt do binte në sy për vlerat e tij. Afrohet tek ekipi I parë I Vllaznisë në vitin 1959 duke qenë menjëherë në formacionin e parë, vend të cilin ai nuk do ta lëshonte deri në ditën e fundit të lënies së karrierës së tij.
Gjatë këtyre viteve, ai ka fituar Kupën e Republikës në vitin 1965 me skuadrën shkodrane dhe më pas ka një pjesë të meritës edhe në sezonin 1971-72 kur Vllaznia ka fituar të dy trofetë e atij sezoni. Për fatin e keq të tij nuk arriti të zhvillonte asnjë ndeshje me kombëtaren për shkak biografie dhe ka luajtur vetëm pak ndeshje të vlefshme për Kupën Ballkanike (kuptohet ato që luheshin në Shkodër sepse jashtë as që nuk bëhej fjalë, raporton shkodrasport.com
Pas lënies së futbollit të luajtur, ka vazhduar karrierën si trajner i ekipit të të rinjve duke punuar sëbashku me Nikoll Gjergjin dhe duke bërë një punë të mirë për nxjerrjen e elementëve të rinj.
Pas mbylljes së karrierës, ai është nderuar me titullin “Mirënjohja e Qytetit”. NPërveç nderimit të fundit nga Bashkia Shkodër, Çapaliku është nderuar më parë edhe me titullin “Mjeshtër Sporti”, me “Medaljen e Argjendtë”dhe me çmimin “Palok Nika”./SHKODRA-SPORT.COM/