Nga Gjergj KOLA
Në mundjen shkodrane ka patur shumë kampionë dhe për rrjedhojë në historinë e këtij sporti secili ka vendin e tij të merituar. Sot do të ndalemi tek njëri prej tyre, kampioni i mundjes klasike Sander Leka ngaqë ka edhe ditëlindjen. Po sot ai feston 63 vjetorin e lindjes së tij dhe me këtë rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura!
Sander Leka ka lindur në Shkodër më 9 tetor të vitit 1961 dhe me mundje nis të merret herët. Në vitin 1979 kalon tek ekipi i parë i Vllaznisë dhe menjëherë renditet i dyti në kampionatin kombëtar.
Një vit më vonë shkon ushtar dhe e merr Dinamo me të cilën shpallet kampion në peshën 48 kg. Në të njëjtin vit me Paulin Sterkajn që në atë kohë bënte për Partizanin dhe shpallej edhe ai kampion i Shqipërisë.
Edhe në vitin 1981, Sandri shpallet sërish kampion me Dinamon dhe më pas kthehet në Shkodër. Aty ku sukseset e tij do të vazhdonin tashmë me fanellën e Vllaznisë.
Edhe aty është i suksesshëm sepse fiton edhe shtatë tituj të tjerë kampionë deri në vitin 1989. Ka konkurruar gjithnjë në peshat e lehta, 48 dhe 52 kg dhe fiton edhe shtatë tituj të tjerë kampionë.
Një nga momentet më të lumtura të karrierë së tij me Vllazninë, Sandri përmend finalet e Spartakiadës së V-të Kombëtar, në vitin 1984.
“Ka qenë një kënaqësi shumë e madhe për të gjithë ne. Nga 10 peshat që ishin në finalet e kësaj Spartakiade, 5 u fituan nga ne sportistët e Vllaznisë.
Pikërisht nga unë, Paulin Merla, Paulin Sterkaj, Ali Amza dhe Seit Fishta. Kjo tregonte dominimin e mundësve shkodranë në stilin klasik dhe nuk kishte si të shkonte më mirë për ne”- shprehet vetë Sandri për ‘Shkodra Sport”.
Karrierën e tij e mbylli në Irlandë, vend ku jeton prej vitesh bashkë me familjen e tij dhe madje edhe atje është marrë sërish me mundje duke qenë edhe trajner në një ekip, por edhe arbitër./www.shkodrasport.com/