Nga Gjergj KOLA
Në gjysmën e dytë të viteve ’80 filloi të mahnisë të gjithë me klasin dhe talentin e tij që shfaqte në fushat e blerta. E kemi fjalën për Lulzim Bërshenin. Ai ka lindur në Shkodër më 24 prill të vitit 1967 dhe pasi spikat me ekipin e të rinjve, kalon me të rriturit e Vllaznisë në periudhën kur në krye të tij vjen trajneri Astrit Hafizi.
Do të fitojë shpejt një vend në formacion dhe në fushë tregon vlera të larta teknike, çka e evidentojnë atë si një nga më të talentuarit dhe është pjesë e skuadrës që do të fitonte Kupën e Republikës në vitin 1987.
Shumëkush e mban mend ndoshta për atë supergol që i pat shënuar Dinamos në një ndeshje në Tiranë, por Lul Bërsheni ka shënuar edhe të tjerë. Ka dhënë asiste dhe gjëra të bukura në fushën e lojës.
Por jo për shumë kohë. Siç dihet, ai do të bëhej protagonist i një ngjarje që bëri bujë në Shqipërinë e atyre viteve. Pas kthimit nga Finlanda ku Vllaznia luajti ndaj Rovaniemit në ndeshjet e Kupave të Europës, bashkë me portierin Arvid Hoxha vendosin të arratiseshin.
Gjatë kthimit për në Shqipëri, ata ndahen me ekipin në Greqi, për të mos u kthyer më në këtë vend. Një veprim që solli pasoja mbi familjen e tij në Shkodër, megjithatë Luli ishte i vendosur për ta çuar deri në fund ëndrrën e tij të madhe.
Ndryshe nga Hoxha që zgjedh të largohet drejt Amerikës, Bërsheni vendos të qëndrojë në Greqi, aty ku dhe luan për disa vite me ekipin Panionios. Talenti nuk i mungonte por ndoshta përkushtimi jo i duhur për të bërë edhe karrierë.
Ndërkohë prej disa vitesh punon si trajner moshash në shtetin fqinj, ndërsa në Shkodër ende e adhurojnë për atë klas që pat shfaqur në fushat e blerta, ndonëse luajti vetëm për pak kohë me Vllazninë, prej së cilës u largua vetëm 20 vjeç.
Lulzim Bërsheni sot feston 57 vjetorin e tij te lindjes dhe me kete rast, gazeta “Shkodra Sport” i uron edhe 100 vite të tjera të lumtura Lulzim Bërshenit i cili mbetet një nga emrat simbol të Vllaznisë së viteve ’80./www.shkodrasport.com/