Mundja shkodrane në vite ka nxjerrë emra shumë të mëdhenj të cilët kanë shkruar historinë e këtij sporti me sukseset e shumta që kanë arritur. Njëri prej tyrë është edhe disa herë kampioni i vendit, Tonin Dema. Do të ndalemi sot tek ky personazh ngaqë ka ditëlindjen, feston 69 vjetorin e lindjes. Me këtë rast edhe gazeta “Shkodra Sport” i uron atij edhe 100 vite të tjera të lumtura.
Ai ka lindur në Shkodër më 1 gusht 1955 ndërkohë që sportin e mundjes e ka filluar në moshën 14 vjeçare me trajner të parë, të mirënjohurin Gjovalin Çuni. Me kalimin e kohës, do kalonte edhe nëpër duart e trajnerëve të tjerë si të madhit Njazi Bushati e më pas, të Hamza Çelës, Zuk Çelës e për të përfunduar tek Eljaz Ahmeti. Në vitet 1972 dhe 73, ai shpallet kampion me të rinjtë dy herë rresht, madje në vitin 1973, merr edhe kupën e mundësitë më të mirë të kampionatit.
Ka fituar disa tituj kampion edhe me ekipin e te rriturve, nderkohe Tonin Dema ka edhe një medalje të artë në Spartakiadën e tretë Kombëtare të zhvilluar në vitin 1979 ku fitoi në finale ndaj mundësit Baftjar Bekteshi ndërsa në finalen e Spartakiadës së katërt Kombëtare të vitit 1984, ai ka zënë vendin e dytë sepse ka humbur në finale ndaj mundësit më të mirë të kohës, Dëfrim Koçit me rezultatin e ngushtë 1-0.
Nini e ka lënë sportin në vitin 1984, teksa karrierës individuale i ka bashkangjitur edhe 14 trofetë ekipore apo dhe 25 ndeshjet e fituarq në po aq të zhvilluara në garat ekipore. Menjëherë ka nisur edhe punën si zëvendëstrajner i ekipit të mundjes së Vllaznisë duke qenë krahu i djathtë i trajnerit Eljaz Ahmeti. Këtë detyrë e ka kryer deri në vitin 1988 ndërsa më pas për dy vjet me rradhë drejton ekipin e të rinjve duke marrë kupë dhe kampionat në drejtimin e tij.
Pas viteve ’90 ka punuar edhe si trajner boksi te Vllaznia. Ai ka kontribuar për rreth 7 vjet si trajner i ekipit të boksit të Vllaznisë, ka qenë ndër të parët që ka punuar për të ringjallur këtë sport pas ardhjes së Demokracisë sëbashku me Shyqyri Halilin, Zef Gjonin, Viktor Martinin, Ramiz Halilin e Kujtim Demin. Megjithatë karriera e tij brilante është ajo e mundësit.
Per te gjitha keto suksese, Tonin Dema eshte nderuar nga Presidenti i Republikes me titullin e larte “Mjeshter i Madh” ashtu siç eshte nderuar edhe nga Keshilli Bashkiak Shkoder me titullin “Mirenjohja e Qytetit”.
Gjergj KOLA